Kina synon një rol më të madh në Lindjen e Mesme

Një marrëveshje e papritur, e ndërmjetësuar nga Kina, për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis Iranit dhe Arabisë Saudite, i hap rrugë Pekinit për të zgjeruar ndikimin e tij në Lindjen e Mesme.

Pas njoftimit për marrëveshjen, që u arrit më 10 mars, pas katër ditësh bisedime në Pekin, gazeta Wall Street Journal raportoi se presidenti i Kinës, Xi Jinping, planifikon të vazhdojë me udhëheqjen rajonale të vendit të tij, si dhe me organizimin e një takimi të nivelit të lartë midis udhëheqësve të Gjirit Arab dhe zyrtarëve iranianë.

Takimi thuhet se ishte në diskutim që nga dhjetori, kur Xi u takua me udhëheqësit arabë në një samit rajonal në Riad dhe propozoi idenë.

Marrëveshja midis Iranit dhe Arabisë Saudite nxjerr në pah fokusin në rritje të Pekinit në Lindjen e Mesme, ku qëllim afatgjatë i politikës së jashtme të Xisë është ta paraqesë lidershipin kinez si një alternativë ndaj Shteteve të Bashkuara.

Kryediplomati i Kinës, Wang Yi, tha se suksesi i bisedimeve midis Riadit dhe Teheranit – rivaliteti i të cilëve, prej kohësh, ka formësuar politikën dhe tregtinë në rajon – i atribuohet udhëheqjes së Xisë.

Ai e cilësoi marrëveshjen si “fitore për paqen”.

Wang Yi, Ali Shamkhani dhe Musaad bin Muhammad al-Aiban pozojnë para kamerave në Pekin më 10 mars, pasi arritën një marrëveshje për të rifilluar marrëdhëniet diplomatike mes Riadit dhe Teheranit.
Wang Yi, Ali Shamkhani dhe Musaad bin Muhammad al-Aiban pozojnë para kamerave në Pekin më 10 mars, pasi arritën një marrëveshje për të rifilluar marrëdhëniet diplomatike mes Riadit dhe Teheranit.


“Kina do të vazhdojë të luajë një rol konstruktiv në trajtimin e çështjeve të nxehta në botë dhe ta demonstrojë përgjegjësinë e saj si një komb i madh”, tha Wang, i cili përfaqësoi Kinën në bisedime.

“Bota nuk është e kufizuar vetëm në çështjen e Ukrainës”, shtoi ai.

Arabia Saudite i ka ndërprerë lidhjet me Iranin në vitin 2016. Afrimi i tyre diplomatik vjen pasi dy vendet janë konfrontuar me njëra-tjetrën në konflikte të ndryshme rajonale.

Analistët paralajmërojnë se marrëveshja e ndërmjetësuar nga Kina, përballet me pengesa përpara. Për t’i përmirësuar lidhjet duhet të bëhet më shumë se rinovimi i marrëdhënieve diplomatike, thonë ata.

“Irani është thellësisht i izoluar, i tronditur nga protestat që zgjasin me muaj dhe i varur shumë nga Kina, si në aspektin strategjik, ashtu edhe në atë ekonomik”, shkroi në Twitter Karim Sadjadpour, bashkëpunëtor i lartë i Institutit Carnegie Endowment.

“Kjo marrëveshje pakëson izolimin e tij, rrit legjitimitetin e regjimit dhe forcon ndikimin rajonal të Kinës, në kurriz të [Shteteve të Bashkuara]”, tha ai.

“Marrë parasysh ndikimin e madh të Kinës mbi Iranin dhe interesin e saj për stabilitet rajonal, Riadi, me gjasë, shpreson se kjo marrëveshje do t’i sigurojë atij një mburojë kineze përballë agresionit iranian”, tha po ashtu Sadjadpour.

Optimizëm i matur

Sipas raportit të gazetës Wall Street Journal, marrëveshja e re jep dy muaj kohë për Iranin dhe Arabinë Saudite që të bien dakord për detajet, përpara se t’i rihapin ambasadat e tyre.

Pasi të arrihet pajtimi për ato specifika, ministrat e Jashtëm të të dyja vendeve do të takohen për ta finalizuar dokumentin dhe më pas do të zhvillohet samiti i paralajmëruar i Lindjes së Mesme në Kinë.

“Vendet e rajonit ndajnë një fat”, shkroi në Twitter ministri i Jashtëm saudit, Princi Faisal bin Farhan Al Saud, duke komentuar marrëveshjen.

“Kjo e bën të nevojshme që ne të punojmë së bashku për të ndërtuar modele për prosperitet dhe stabilitet”, shtoi ai.

Zyrtarët iranianë e mirëpritën gjithashtu marrëveshjen. Ministri i Jashtëm, Hossein Amir-Abdollahian, tha se ajo është një shenjë se politika rajonale e Teheranit “është duke lëvizur fuqishëm në drejtim të duhur”.

Shuma analistë besojnë se marrëveshja dhe roli i Kinës në të shihen me kujdes nga Uashingtoni.

Zëdhënësi i Këshillit për Siguri Kombëtare të ShBA-së, John Kirby, tha se ShBA-ja mbështet “çdo përpjekje për uljen e tensioneve”.

“Ne mendojmë se [marrëveshja] është në interesin tonë”, tha Kirby dhe shtoi se ajo mund të çojë në fundin e luftës civile në Jemen.

Në këtë luftë, militantët rebelë, Huthi, të mbështetur nga Irani, luftojnë kundër një koalicioni të udhëhequr nga Arabia Saudite. Konflikti ka shkaktuar qindra mijëra viktima dhe situatë të rëndë humanitare.

Një luftëtar jemenas i mbështetur nga koalicioni i udhëhequr nga Arabia Saudite duke qëlluar me armë gjatë përleshjeve me rebelët Huthi të mbështetur nga Irani në Jemen në vitin 2021.
Një luftëtar jemenas i mbështetur nga koalicioni i udhëhequr nga Arabia Saudite duke qëlluar me armë gjatë përleshjeve me rebelët Huthi të mbështetur nga Irani në Jemen në vitin 2021.

Irani ka qenë i etur për një marrëveshje, pas krizës valutore që ia ka përkeqësuar edhe më shumë ekonominë e dobësuar nga sanksionet e ShBA-së.

Republika Islamike, tash e sa vite, është nën sanksione, për shkak të programit të saj bërthamor. Muajve të fundit, ajo është përfshirë edhe nga protestat publike, që kundërshtojnë sundimin e regjimit klerik.

Zyrtarët iranianë thuhet se shpresojnë të nxjerrin përfitime ekonomike nga Riadi, si dhe nga Kina, e cila ka një levë të konsiderueshme ekonomike mbi Teheranin.

Agjencia gjysmëzyrtare iraniane e lajmeve, Mehr, ka raportuar para njoftimit të 10 marsit se Pekini i ka lejuar Iranit qasje në një pjesë të fondit prej rreth 20 miliardë dollarësh në bankat kineze, që është ngrirë pasi Shtetet e Bashkuara janë larguar nga një marrëveshje bërthamore me Iranin në vitin 2018 dhe kanë rivendosur sanksione kundër tij.

Kina i ka premtuar Iranit në vitin 2021 se do të investojë 400 miliardë dollarë në këtë vend, në këmbim të furnizimeve me naftë dhe karburante. Megjithatë, sanksionet perëndimore kundër Teheranit e kanë penguar Pekinin që t’i realizojë ato.

Pekini, po ashtu, i ka thelluar lidhjet ekonomike me Riadin. Kina është partnerja më e madhe tregtare e Arabisë Saudite dhe mbretëria është një nga furnizueset më të mëdha të Kinës me naftë.

Këto lidhje ekonomike kanë qenë bazë e angazhimit të Kinës në Lindjen e Mesme, ku Pekini merr më shumë se 40 për qind të importeve të naftës së papërpunuar dhe ka një interes në rritje për stabilitetin rajonal.

Por, marrëveshja e paqes pasqyron gjithashtu ndryshimin e qasjes së Kinës ndaj rajonit, i cili po lëviz nga përqendrimi në tregti dhe investime drejt rrëshqitjes në konflikte të tensionuara të Lindjes së Mesme.

“Deri më tani, Kina ka qenë shumë e kujdesshme… duke u fokusuar kryesisht në biznes, pa u përfshirë shumë ushtarakisht në Lindjen e Mesme. Por, gjërat mund të ndryshojnë”, tha Zhou Bo, ish-kolonel i lartë në Ushtrinë Çlirimtare Popullore.

Ai i bëri këto komente në një konferencë për çështjet ndërkombëtare në Izrael, përpara se të arrihej marrëveshja.

Roli në zhvillim i Pekinit

Përveçse me lidhje ekonomike, Kina po synon ta rrisë ndikimin në Lindjen e Mesme edhe duke promovuar multilateralizmin dhe duke mos e kritikuar rajonin për shkeljet e të drejtave të njeriut.

Pekini ka përfituar gjithashtu nga pasojat e ngjarjeve që kanë dëmtuar pozitën e Uashingtonit në rajon, të tilla si pushtimi i Irakut në vitin 2003 dhe lufta e gjerë kundër terrorizmit.

Princi saudit i Kurorës, Muhamed bin Salman, mirëpret liderin kinez Xi Jinping në Riad në dhjetor 2022.
Princi saudit i Kurorës, Muhamed bin Salman, mirëpret liderin kinez Xi Jinping në Riad në dhjetor 2022.

Uashingtoni ka lidhje të gjata me Riadin dhe është partneri i tij kryesor i sigurisë. Megjithatë, marrëdhëniet mes tyre janë përkeqësuar ndjeshëm, sidomos pas vrasjes së një gazetari të gazetës amerikane, Washington Post, në vitin 2018. Jamal Khashoggi është vrarë nga agjentët sauditë, me urdhër të dyshuar të princit saudit të kurorës, Muhamed bin Salman.

Derisa marrëveshja e re e paqes duket si një sukses i hershëm diplomatik i Kinës, analistët paralajmërojnë për vështirësitë që e presin Pekinin në navigimin e një prej rivaliteteve më të paqëndrueshme në botë, i cili është përkeqësuar nga përçarja suni-shiite.

Një burrë shikon uljen e kursit të këmbimit të monedhës në një dyqan në Teheran më 21 shkurt.
Një burrë shikon uljen e kursit të këmbimit të monedhës në një dyqan në Teheran më 21 shkurt.

Rihapja e ambasadave dhe rinovimi i marrëdhënieve diplomatike, siç nënvizohet në marrëveshje, nuk ka gjasa ta parandalojnë luftën e Iranit dhe Arabisë Saudite për dominim rajonal.

Lufta në Jemen do të jetë një provë kritike e këtij përafrimi të ri.

Zyrtarët sauditë raportohet se po kërkojnë mënyra për t’i dhënë fund konfliktit, por arritja e një marrëveshjeje paqeje do të jetë një detyrë edhe më e madhe dhe mund t’i ringjallë tensionet midis Teheranit dhe Riadit.

“Diçka tjetër është organizimi i bisedimeve nga Kina, e diçka tjetër është ofrimi i ndihmës për zbatimin e marrëveshjes”, shkroi në një blog Fan Hongda, profesor në Institutin e Studimeve të Lindjes së Mesme të Universitetit të Studimeve Ndërkombëtare të Shangait, pas shpalljes së marrëveshjes.

“Çfarë lloj garancish do të japë Kina nëse njëra nga palët nuk e respekton marrëveshjen?”, pyeti ai.

Go to TOP