Kica-Xhelili: Tre grupet që po sulmojnë LDK-në dhe “elefanti në dhomë”

Deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili, ka reaguar ashpër ndaj sulmeve që po i bëhen partisë së saj, duke identifikuar tre grupe që sipas saj po tentojnë të dëmtojnë Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Sipas saj, grupi i parë është ai që e quan “ZdraVVo”, të cilin e lidh me Nagip Krasniqin dhe Dejona Mihalin. Ajo i akuzon ata për skema korruptive në sektorin e energjisë duke thënë se LDK ka qenë pengesë për ta.

Grupi i dytë, sipas Kica-Xhelilit, është ai që e cilëson si “PDK f.m. stereo” duke pretenduar se disa eksponentë të Partisë Demokratike po përpiqen ta përdorin LDK-në për qëllimet e tyre. Ajo i quan ata “të stërvjetëruar” në përpjekjet për ta bërë LDK-në levë të PDK-së.

Grupi i tretë, më i paidentifikueshëm sipas saj, është ai që refuzon reformën në LDK, jo si ndryshim gjeneracional, por si ndryshim të mendësisë. Kjo kategori, sipas saj, i shërben të dy grupeve të para.

Deputetja e LDK-së theksoi se hipërbolizimi i mendimeve personale në kryesi është një lojë e dështuar dhe se çdo pretendim për orientim të paligjshëm të votës duhet të adresohet në prokurori.

Në fund, Kica-Xhelili nënvizoi se e përbashkëta e këtyre tre grupeve është “elefanti në dhomë” – frika nga një LDK e pavarur. “Kësaj viroze të tyre i uroj shërim të shpejtë, por ilaçin te ne s’do e gjejnë,” përfundoi ajo. /Kosova.info/

Go to TOP