KGJK-ja kërkon të rishikohet Ligji për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve

Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka kërkuar ndryshimin e Ligjit për përgjegjësinë disiplinore. Sipas këtij institucioni, ata nuk mund të iniciojnë rast për ndonjë gjyqtar, pa marrë rekomandimin e autoriteteve përkatëse. Megjithatë, me këtë nuk janë pajtuar anëtarët e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, ku thanë se në rastet kur janë marrë vendime skandaloze nga ndonjë gjyqtar, nuk ka pasur reagim publik nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës.

Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione ka diskutuar për vendimet e gjykatave në trajtimin e rasteve në baza gjinore dhe dhunë në familje.

Zëvendëskryesuesi i Këshillit Gjyqësor, Qerim Ademaj ka folur për vendimet në rastin e Pejës dhe të Gjilanit, ku theksoi nevojën e ndryshimit të Ligji për Përgjegjësinë Disiplinore.

“Këshilli nuk ka mundësi që vet të iniciojë rast sipas detyrës zyrtare. Është vlerësim i anëtarëve kompetentë, në këtë rast të kryetarëve, që në këtë rast me iniciativën e çfarëdo subjekti që ka mundësi me hap rast para gjykatës për një rast të caktuar dhe ta referojë rastin në Këshill Gjyqësor, në ato raste kur pretendon se ka shkelje të Kodit të Etikës. Apo shkelje të tjera që lidhen me disiplinimin e gjyqtarëve. Mbi këtë bazë ne kemi pasur diskutim edhe me Ministrinë e Drejtësisë edhe e kemi parë të nevojshme që në të ardhmen të rishikohet Ligji për disiplinimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve që eventualisht me plotësim-ndryshim me pas mundësinë vet Këshilli sipas detyrës zyrtare të iniciojë raste”, ka thënë ai.

Për këtë ka reaguar anëtari i LVV-së, Alban Bajrami, i cili theksoi se me ndryshimet e fundit të këtij ligji, Këshilli Gjyqësor të Kosovës i takon kjo kompetencë. Megjithatë, Ademaj ka mohuar se i takon këshillit që të iniciojë raste të tilla pa rekomandimin e kryetarëve të gjykatave.

Më tej, zëvendëskryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës para anëtarëve të komisionit ka theksuar se gjuha e përdorur në marrjen e vendimeve në rastet e dhunimit seksual, është e papranueshme.

“Çfarëdo gjuhe ofenduese edhe e papërshtatshme në arsyetim të vendimeve, nuk është e pranueshme për Këshillin. Për shkak se çdo vendim duhet të jetë i bazuar mbi bazën e provave dhe fakteve edhe kërkesave ligjore”, u shpreh ai.

Derisa është diskutuar për rastet në Pejë dhe Gjilan, nënkryetarja e këtij komisioni, Tinka Kurti ka qenë kritike për veprimet e Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

“Tashmë i keni disa mekanizma që nuk jam e sigurt që i keni përdorur. Ligji nuk ju ndalon që ju me dalë me një deklaratë pasi ta shihni një vendim skandaloz. Ligji nuk ju ndalon të paktën me u përgjigj ndaj mediave, ligji nuk ju ndalon t’i dëgjoni thirrjet e shoqatave për mbrojtjen e grave, shoqatat që po merren me monitorimin e drejtësisë dhe të gjitha shifrat publike. Ka të dhëna që 74 gra janë vrarë nga viti 2017, janë përdhunuar rreth 250 gra ose ngacmuar në forma shumë poshtëruese. Ligji nuk ju ndalon që të bëni një analizë se si po trajtohen këto raste”, ka deklaruar Kurti.

Për nënkryetaren e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci në këto raste nuk ka të bëjë vetëm me gjuhën e përdorur, por edhe për ndikimin që ka të viktimat. Sipas saj, në këtë formë po krijohet mosbesim në gjyqësorin e Kosovës.

“Problemi kryesor nuk ka të bëjë vetëm me gjuhën që përdoret. Në shumë raste ka edhe vendime që janë të lëshuara me shkresë të kësaj gjuhe, ku dihet shumë mirë që mbetet në dosjen e personit në fjalë. Dhe kjo ka ndikim direkt në jetën e tyre. Nuk po flasim vetëm te gjuha që përdoret dhe ajo që duhet të largohet, sidomos te pjesa e viktimës këto raste që i kemi parë. Shkon përtej përdorimit të gjuhës”, u shpreh ajo.

Në rastet e publikimit të përgjimeve, ku kanë qenë të përfshirë edhe disa gjyqtarë, Ademaj tha se kanë pasur një kërkesë nga një kryetar i gjykatës dhe se është trajtuar ky rast nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës. Ai nuk ka dhënë detaje në lidhje me këtë rast, sepse siç tha ai, është rast ende i hapur.

Go to TOP