KFOR-i turk nuk merr anë në Kosovë, thotë ministri i Mbrojtjes i Ankarasë
Një javë pasi Turqia mori komandën e KFOR-it, në Kosovë erdhi ministri i Mbrojtjes i këtij vendi.
Yasar Gulerin e priti me ceremoni zyrtare të martën, homologu i tij kosovar Ejup Maqedonci me të cilin zhvilloi edhe një takim tete-a-tete, i cili pasoi me takimet e dy delegacioneve.
Kur dolën në konferencë, nikoqiri falënderoi mysafirin për mbështetjen e vazhdueshme.
Kërkesat e Maqedoncit ndaj Turqisë ishin edhe në ndërkombëtarizimin e Kosovës, kur kërkoi mbështetje për anëtarësimin e Kosovës në Partneritetin për Paqe dhe theksoi rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në NATO.
E vetë turku e pohoi këtë duke shtuar se paqja në Kosovë i shërben krejt Ballkanit duke shtuar se dialogu është rruga e vetme e paqes dhe stabilitetit afatgjatë në këtë rajon. Ai shtoi se edhe detyrën e komandantit të KFOR-it që mori Turqia përsipër do ta kryejë me neutralitet e transparencë të plotë.
Bashkëpunimi i ndërsjellë mes Kosovës e Turqisë u premtua se do thellohet në të ardhmen.
