Kosova

Komunat kërkojnë të fillojë viti shkollor, të konsiderohet edhe mësimi online

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka deklaruar sot se Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka rekomanduar që të vazhdojnë masat për shkollat, për shkak të përhapjes së variantit Delta te moshat e reja. Por, Asociacioni i Komunave të Kosovës thotë se mund të përdoret një nga katër skenariot për fillimin e vitit të ri shkollor.

Drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, ka deklaruar për Express se nuk është e domosdoshme të fillohet mësimi vetëm me prezencë fizike të nxënësve nëpër shkolla. 

Ibrahimi thotë se bazuar në vlerësimin e Task Forcës Komunale, mësimi mund të fillojë online për shkollat ku mund të ketë rrezik më të lartë të përhapjes së virusit, apo me prezencë fizike në shkollat ku ka më pak nxënës dhe rreziku për përhapje të virusit është më i ulët. 

“Kolegjiumi i drejtorëve të arsimit në takimin e djeshëm ka konsideruar që janë pjekur kushtet për fillimin e vitit të ri shkollor 2021/22 dhe iu është lënë në kompetencë të Task Forcave komunale të vendosin se cili nga katër skenariot mund të zbatohet për fillimin e vtitit të ri shkollor. Një skenario është me prezencë fizike, në ato komuna që Task Forca vlerëson se nuk ka kushte për të filluar mësimi me prezencë fizike, mund të fillojë online. Njëri nga këto katër skenario mund të përdoret për fillimin e vitit të ri shkollor, sepse deri sot janë humbur 90 ditë të mësimit. Nuk është patjetër të fillohet me prezencë fizike”, ka deklaruar Ibrahimi. 

Edhe Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ka kundërshuar shtyrjen e fillimit të vitit të ri shkollor. 

Kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj, ka deklaruar se 

“Ne jemi deklaruar se çdo shtyrje e radhës e vitit shkollor do të paraqesë probleme shtesë dhe do të krijojë pikëpyetje se si do të mund të arrijmë t’i zëvendësojmë ditët dhe orët e humbura ngaqë se edhe deri me 27 shtator i kemi 18 ditë mësimi të humbura dhe do të kemi shumë telashe për t’i zëvendësuar ato. SBASHK është shprehur publikisht kundër çdo shtyrjeje të radhës, mendojmë se nëse vërtet institucionet e shëndetit publik, Ministria e Shëndetësisë dhe IKSHPK-ja e shohin ende me rrezik fillimin fizik të vitit shkollor, atëherë MASHTI, DKA bashkë me ne dhe gjithë të tjerët duhet këto ditë të angazhohemi dhe të përgatitemi që të fillojmë me një version tjetër të mësimit, siç është mësimi online”, ka deklaruar Jasharaj për Blic. 

Ndryshe, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, deklaroi sot që nga e premtja janë duke diskutuar për të gjetur zgjidhjen më të mirë që të mos dëmtohet sistemi arsimor, megjithëse siç u shpreh ai rekomandimet e IKSHPK-së janë që të vazhdojnë masat për shkollat, për shkak të përhapjes së variantit Delta tek moshat e reja.

“Rekomandimet e IKSHPK-së kanë qenë që shkollat duhet të ndërpriten dhe kjo të vazhdohet. Por, jemi duke vazhduar që të bëjmë maksimumin që të respektohen rekomandimet që të merren masat tjera që nuk e dëmtojnë procesin arsimor. Por ne duhet të jemi koshientë për rrezikun kur të hapen shkollat, mbi 50 raste kanë qenë fëmijë që nuk kanë qenë të infektuar më herët me rastin Delta. Sistemi arsimor është më i afektuari nga pandemia”, deklaroi Vitia.