Kërkohet rishikimi i kushtetutshmërisë së vendimit për gjenocidin

Presidentja e Republika Sërpskës në Bosnje dhe Hercegovinë, Zheljka Cvijanoviq, lëshoi një dekret ku tha se në këtë entitet janë të pavlefshme ndryshimet e bëra në Kodin Penal që kriminalizojnë mohimin e gjenocidit dhe krimeve të tjera. Këto ndryshime ishin miratuar nga ish-Përfaqësuesi i Lartë në Bosnje dhe Hercegovinë, Valentin Inzko.

Dekreti për dy ligje u bota në Gazetën Zyrtare të Republika Sërpskës. Ligji i parë i referohet moszbatimit të ligjit të miratuar nga Inzko në Republikën Sërpska dhe e dyta i referohet ndalimit “të nënçmimit dhe talljes” së Republikës Spërpska.

Në fund të korrikut, Inzko miratoi ndryshimet në Kodin Penal të Bosnjë e Hercegovinës ku kërkohet që të dënohet mohimi i gjenocidit dhe krimeve të tjera, të dënuara në gjykatat vendore dhe ndërkombëtare.

Anëtari serb i Presidencës së Bosnjës, Millorad Dodik i tha Radiotelevizionit të Republikës Sërpska (RTRS) se Republika Sërpska “do të respektonte ligjet e saja” dhe “nuk do të pranojë ligjin e vendosur nga ish-Përfaqësuesi i Lartë, Valentin Inzko”.

“Zbatimi është edhe më i rëndësishëm. Gjykata Kushtetuese e Republikës Sërpska tha se ishte në rregull dhe ne pranuam procedurën. Me gjasë kjo do të shkojë edhe në Gjykatën Kushtetuese të Bosnjë e Hercegovinës, e cila menjëherë do të konsiderojë si të pavlefshme gjithçka që ka miratuar Republika Sërpska, por duhet të them që ligji i miratuar nga Kuvendi Kombëtar i Sërpskës, do të jetë i vlefshëm”, tha Dodik.

Çka thotë vendimi?

“Unë e shpalli Ligjin për moszbatimin e vendimit të Përfaqësuesit të Lartë që miratoi Ligjin për ndryshimin e Kodit Penal të Bosnjë e Hercegovinës, i cili u miratua nga Asambleja Kombëtare e Republikës Sërpska në seancën e mbajtur më 30 korrik 2021”, tha Zheljka Cvijanoviq në dekret.

Në Nenin 1 thuhet se “vendimi i Përfaqësuesit të Lartë nuk do të zbatohet në territorin e Republikës Sërpska”.

Në Nenin 2 thuhet se “autoritetet kompetente të Republikës Sërpska nuk do të bashkëpunojnë me autoritetet kompetente të Bosnjë e Hercegovinës lidhur me zbatimin e vendimit të Përfaqësuesit të Lartë. Ndërkaq, Neni 3 specifikon që ligji i Republikës Sërpska do të hyjë në fuqi një ditë pas botimit në Gazetën Zyrtare.

Vendimet e mëparshme të Kuvendit të entitetit

Kujtojmë që vendimi i Përfaqësuesit të Lartë ishte refuzuar nga Kuvendi i entitetit. Më 30 korrik, Kuvendi Kombëtar i Republikës Sërspka miratoi Ligjin për moszbatimin e vendimit të Përfaqësuesit të Lartë për ndalimin e mohimit të gjenocidit.

Përfaqësuesit e këtij kuvendi gjithashtu miratuan edhe Ligjin për ndryshimet në Kodin Penal të Republikës Sërpska, ndryshimet të cilat do të dënonin këdo që e akuzon Republikën Sërpska si një ‘krijim gjenocidial’.

Sipas këtij legjislacioni, dënim me burg deri në tri vjet është parashikuar për “këdo që publikisht përbuzë apo përqeshë Republikën Sërspka, flamurin e saj, stemën ose himnin”.

Ndërkaq, gjashtë muaj deri në pesë vjet burgim është paraparë nëse dikush “kryen vepra në atë mënyrë që Republika Sërpska është cilësuar si agresore ose krijimi gjenocidial ose populli i saj është agreson ose gjenocidial”.

Pozicioni i Gjykatës Kushtetuese të Republikës Sërpska

Më pas vendosi Gjykata Kushtetuese e Republikës Sërpska. Në fund të shtatorit, ky institucion vendosi se interesi jetik kombëtar i popullit boshnjak nuk ishte shkelur në Ligjin për moszbatimin e vendimit të Përfaqësuesit të Lartë për ta ndaluar mohimin e gjenocidit.

Gjykata Kushtetuese e Republikës Sërpska gjithashtu gjeti se interesi jetik kombëtar i boshnjakëve nuk ishte shkelur në ndryshimet në Kodin Penal të Republikës Sërpska, që parashikon dënime me burg për ata që e cilësojnë Republikën Sërpska si “agresor dhe akt gjenocidal”.

Ky organ arriti në përfundim se këto ligje “zbatohen në mënyrë të barabartë për të gjithë qytetarët”.

Më herët, gjatë një mbledhjeje të Komisionit të përbashkët të Kuvendit Kombëtar dhe Këshillit të Popujve të Republikës Sërspka, që u mbajt më 20 gusht, nuk u arrit asnjë marrëveshje mbi aktet e shqyrtuara që kishin të bënin me veton boshnjake mbi vendimin për hyrjen e parakohshme në fuqi të Ligjit për moszbatimin e vendimit të Përfaqësuesit të Lartë lidhur me ndryshimet e bëra në Kodin Penal të Republikës Sërspka.

Më 5 gusht, Klubi i Boshnjakëve, që është në Këshillin e Popujve, nisi një procedurë ligjore për të mbrojtur interesat vitale kombëtare, do të thotë vendosi veto ndaj këtyre ligjeve.

Anëtari serb i Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës, Millorad Dodik si dhe politikanë të tjerë nga Republika Sërpska nuk po marrin pjesë në institucionet e Bosnjë e Hercegovinës, pasi ish-Përfaqësuesi i Lartë në këtë shtet, Valentin Inzko, përmes Kodit Penal të Bosnjës, ndaloi mohimin e gjenocidit dhe krimeve të tjera të luftës.

Të premten takohen përfaqësuesit politikë boshnjakë

Mihnet Okiq, nënkryetar i Këshillit të Popullit Boshnjak, i tha Radios Evropa e Lirë se ata nuk i kishin dërguar në Gjykatën Kushtetuese të Bosnjë e Hercegovinës këto ligje sepse “ata nuk prisnin që ligjet e miratuara nga Republika Sërspka të zbatoheshin kaq shpejt”.

Ai tha se të premten, më 15 tetor, mund të diskutohet për këtë temë në një takim që do të mbahet në Banja Llukë.

“Bakir Izetbegoviq (kryetar i partisë kryesore të boshnjakëve në Bosnjë e Hercegovinë, Partia e Veprimit Demokratik) dhe përfaqësuesit e boshnjakëve në institucionet e Republikës Sërpska do të marrin pjesë në takim”, tha Okiq.

“Ende nuk është marrë një vendim dhe mund të presim reagimin e ndoshta Përfaqësuesit të Lartë sepse ajo që po bëhet në këtë entitet është e pabesueshme. Në takimin e së premtes, ne do të diskutojmë për këtë çështje, do të ngremë çështjen se a duhet t’i drejtohemi Gjykatës Kushtetuese të Bosnjë e Hercegovinës për ato ligje”, shtoi Okiq.

Akuzat për shkeljen e Marrëveshjes së Dejtonit

“Kjo është goditja më e drejtpërdrejtë ndaj Marrëveshjes së Paqes së Dejtonit”, tha Bakir Izetbegoviq, kryetar i Partisë për Veprim Demokratik, pas vendimit të autoriteteve të Republikës Sërpska më 23 korrik 2021, që refuzuan që të sanksionohej me ligj mohimi i gjenocidit.

“Ju nuk mund ta godisni atë (Marrëveshjen e Dejtonit) pa e goditur paqen. Ne presim që Zyra e Përfaqësuesit të Lartë të angazhohet në luftën kundër politikave separatiste në Republikën Sërpska”, tha Izetbegoviq.

Në të njëjtën kohë, Qamil Durakoviq, anëtar i Kuvendit Komunal të Srebrenicës, deklaroi për Radion Evropa e Lirë se dekreti për shpalljen e dy ligjeve në Republikën Sërpska ishte “një goditje në krah” dhe se ndryshimet në Kodin Penal që u bën nga Përfaqësuesi i Lartë, sipas tij, vlejnë në gjithë Bosnjë e Hercegovinën.

“Kodi Penal i Bosnjë e Hercegovinës nuk mund të sfidohet dhe kundërshtohet me asnjë dekret të ndonjë entiteti pasi gjithçka tjetër është e pazbatueshme. Unë nuk e di që ky dekret është i vlefshëm dhe mendoj se Zyra e Prokurorit të Bosnjë e Hercegovinës duhet të vazhdojë të bëjë punën e saj”, tha Durakoviq.

Dukakoviq më 16 shtator u hoq nga posti i kryetarit të Kuvendit Komunal të Srebrenicës sepse kishte paraqitur një kallëzim penal në Prokurorinë e Bosnjë e Hercegovinës kundër një gazetari të Radio Televizionit të Republikës Sërspka për mohim të gjenocidit. Në fund të korrikut ai kishte ngritur kallëzim penal ndaj gazetarit Branimir Gjurgjeviq të këtij televizioni, që është pjesë e Shërbimit Publik të Bosnjë e Hercegovinës.

Shkarkimin e Durakoviqit e kishte paralajmëruar Millorad Dodik.

Çka thotë ligji?

Eksperti i të drejtës kushtetuese, Nedim Ademoviq, i tha Radios Evropa e Lirë se ligji i Republikws Sërpska lidhur me ndryshimet e Inzkos është jokushtetues.

Ademoviq tha se Republika Sërpska, si një entitet, nuk e ka autoritetin që të ndërhyjë në aktet e miratuara nga Përfaqësuesi i Lartë, pasi sipas tij, kjo përcaktohet në aneksin 10 të Marrëveshjes së paqes të Dejtonit.

“Kjo do të thotë që ‘Lex Incko’ (Ligji i Inzkos) mbetet në fuqi”, shtoi ai.

Ai theksoi se Republika Sërpska “padyshim përdori një mjet krejtësisht të gabuar për të ‘sulmuar’ një akt ligjor”.

“E vetmja mënyrë e mundshme ligjore për ta kundërshtuar Ligjin e Përfaqësuesit të Lartë ndoshta ishte Gjykata Kushtetuese e Bosnjë e Hercegovinës sepse Republika Sërpska kishte të drejtë që të niste procedurat dhe të kërkonte nga kjo gjykatë që të nxirrte vendim për ta shpallur këtë ligj si jokushtetues”, tha ai.

Siç tha Ademoviq, “ligji i Inzkos absolutisht plotëson të gjitha standardet kushtetuese dhe është ligj i domosdoshëm për vendosjen e paqes ligjore në Bosnjë e Hercegovinë”.

“Fatkeqësisht, incidente të tilla shkaktojnë pasiguri juridike në shtet sepse në të njëjtën kohë miratohen ligje që janë në kundërshtim me njëra-tjetrën. Sidoqoftë, shkenca juridike gjithashtu jep udhëzime sesi duhet të silleni në situata të tilla. Ky është një konflikt midis dy ligjeve që nuk janë në fuqi të barabartë hierarkike, kështu që në parim, ligji që është më i fortë zbatohet kundrejt atij që është më i dobët”, theksoi Ademoviq për REL-in.

I pyetur për ligjin e dytë, që i referohet ndalimit të “nënçmimit dhe talljes” së Republikës Sërpska, që po ashtu hyri në fuqi me dekretin e presidentes së kësaj republike, Ademoviq tha se një ide e tillë nuk është e keqe.

“Duam apo nuk duam, Republika Sërpska është një pjesë integrale e Bosnjë e Hercegovinës. Ajo fitoi legjitimitet në Dejton dhe askund, në asnjë aktgjykim nu thuhet se është, për shembull një ‘krijim gjenocidial’. Një gjuhë e tillë ofenduese në Bosnjë e Hercegovinë është shumë e dëmshme sepse prish paqen ligjore dhe manipulon qytetarët në një mënyrë që vazhdimisht hap plagët e vjetra dhe krijon një hendek të madh midis njerëzve”, tha Ademoviq.

Ambasada Amerikane: Ne mbështesim Përfaqësuesin e Lartë

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Bosnjë dhe Hercegovinë, në një deklaratë me shkrim dhënë për REL-in, thekson se të zgjedhurit dhe udhëheqësit në Bosnjë e Hercegovinë kanë mundësi, që përmes Kuvendit të Bosnjë e Hercegovinës, të propozojnë, shqyrtojnë, refuzojnë, ndryshojnë dhe miratojnë ligje.

“Shtetet e Bashkuara mbështesin rolin kryesor të luajtur nga Përfaqësuesi i Lartë në monitorimin dhe mbështetjen e zbatimit të aspektit civil të Marrëveshjes së paqes të Dejtonit. Shtetet e Bashkuara mbështesin fuqishëm integritetin territorial dhe sovranitetin e Bosnjë e Hercegovinës si një shtet me dy entitete dhe rrethin Bërçko”, tha Ambasada amerikane në Sarajevë.

“Siguria dhe prosperiteti i të gjithëve në Bosnjë e Hercegovinë varet nga udhëheqësit e tyre që punojnë përmes institucioneve të përshtatshme dhe punojnë së bashku për të promovuar ndërtimin e besimit, respektit reciprok, pajtimit dhe funksionalitetit”, shtoi ambasada.

Çka thonë në Srebrenicë?

“Tribunali ka vendosur këtë dhe çdo person i civilizuar nuk mund ta mohojë atë”, tha Mehmedi, një banor i Srebrenicës, qytet në lindje të Bosnjës, ku forcat serbe kryen krim masiv në korrik të vitit 1995, që Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e cilësoi si gjenocid më 2007.

Radio Evropa e Lirë bisedoi me Mehmedin pasi presidentja e Republikës Sërpska lëshoi vendimin që refuzonte një ndalim të mëparshëm të mohimit të gjenocidit në Bosnjë e Hercegovinë.

Por, bashkëqytetari i Mehmedit, Branimiri ka mendim krejtësisht të ndryshëm.

“Mendimi im është që procedurat që janë iniciuar kundër të gjithë personave duhen të pezullohen dhe është mirë që dekreti u botua në Gazetën Zyrtare të Republikës Sërpska”, tha ai.

“Do të jetë njësojë si më parë. Duhet të miratohet një ligj se a po jetojmë më mirë. Njerëzit nuk kanë asgjë nga kjo, duhet të miratohet një ligj që Bosnjë e Hercegovina të lëvizë drejt Bashkimit Evropian”, tha Millan.

Asnjë nga qytetarët me të cilët bisedoi REL-i nuk deshën që ta zbulonin identitetin e plotë të tyre.

Ndalimet dhe ndëshkimet

Më 28 korrik hynë në fuqi ndryshimet në Kodin Penal të Bosnjës, që ndalojnë mohimin e gjenocidit dhe krimeve të tjera të luftës. Këto ndryshime u publikuan në Gazetën Zyrtare të Bosnjë e Hercegovinës më 27 korrik.

Vendimi i Përfaqësuesit të Lartë parasheh tre muaj deri në pesë vjet burgim për të gjitha ata që publikisht nxisin dhunë ose urrejtje kundër një grupi personash ose një anëtari të një grupi të caktuar racor, fetar, kombëtar ose të përkatësisë etnike.

Dënimi me burgim nga gjashtë muaj deri në pesë vjet do të shqiptohet për këdo që publikisht miraton, mohon, minimizon ose përpiqet të justifikojë një krim gjenocidi, një krim kundër njerëzimit ose një krim lufte të vendosur me një vendim përfundimtar, thuhet në vendim.

Vendimi, sipas Zyrës së Përfaqësuesit të Lartë, përcakton gjithashtu se kushdo që i jep një mirënjohje, çmim, krijon ndonjë monument ose jep privilegj ose diçka të ngjashme një personi të dënuar për gjenocid, krim kundër njerëzimit apo krime lufte do të dënohet me të paktën tre vjet burgim.

Vendimi përcakton gjithashtu se autori i një vepre penale i cili është një person zyrtar ose përgjegjës ose punonjës i një institucioni qeveritar ose i ndonjë organi të financuar nga buxheti i shtetit, do të dënohet me burgim jo më pak se tre vjet.

Go to TOP