Kërkohet paraburgim për të dyshuarin që kërcënoi komunitetin LGBTQ+
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën kompetente, ndaj të pandehurit M.Z., për shkak të veprave penale “Kanosja” dhe “Nxitja e përçarjes dhe mos durimit”, sipas KPRK-së.
Sipas aktakuzës i pandehuri është ndaluar me urdhër të Prokurorit të Shtetit, para dy ditësh, pasi dyshohet se më 29 dhjetor të këtij viti, me qëllim të frikësimit e ka kanosur seriozisht personin e dëmtuar.
“I pandehuri derisa ka qenë duke e drejtuar veturën me shpejtësi të madhe ka tentuar ta godasë në vendkalimin për këmbësorë, por fatmirësisht personi i dëmtuar ka arritur t’i shmanget goditjes nga vetura, derisa me këtë veprim i ka shkaktuar shqetësim të madh, ankth e frikë për jetën”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore.
Po ashtu, bëhet e ditur se në ditën e njëjtë, i pandehuri me dashje ka nxitur dhe përhapur publikisht urrejtje, përçarje dhe mosdurim ndaj komunitetit LGBTQ+ bazuar në orientimin seksual të personit të dëmtuar, ku përmes rrjetit social “Facebook”, komenton në njërin portal për të, çka me këtë seriozisht e ka rrezikuar prishjen e rendit publik, duke nxitur dhe përhapur publikisht urrejtje për komunitetin LGBTQ+ në territorin e Republikës së Kosovës. /Kosova.info/
