Ker-Lindsey: Vështirë të arrihet marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë pa njohje reciproke

Njohja reciproke mes Kosovës dhe Serbisë duhet të jetë në fokus të marrëveshjes mes dy vendeve, ka thënë James Ker-Lindsay, profesor në Shkollën Ekonomike të Londrës, në një intervistë për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë.

Ai beson se plani aktual i Bashkimit Evropian për normalizim të marrëdhënieve, nuk është hap drejt arritjes së një marrëveshjeje finale dhe të qëndrueshme.

Propozimi i Bashkimit Evropian, që në publik njihet si plani franko-gjerman, u është dorëzuar autoriteteve në Kosovë dhe Serbi, në fund të verës së kaluar.

Ky propozim, në të cilin ka pasur qasje Radio Evropa e Lirë, parasheh të drejta të barabarta për Kosovën dhe Serbinë, respektim të integritetit territorial, paprekshmëri të kufijve, njohje të simboleve shtetërore dhe një aranzhim të veçantë për komunitetin serb në Kosovë.

Radio Evropa e Lirë: Përpjekjet e përbashkëta të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara janë intensifikuar së fundmi, në mënyrë që Kosova dhe Serbia të pranojnë propozimin për normalizim të raporteve. Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq do të marrë pjesë në një seancë parlamentare ku do të mundohet të krijojë konsensus me partitë opozitare sa i përket planit, ndërsa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e sheh planin si kornizë fillestare për negociata. Sipas jush, sa afër ose larg janë Kosova dhe Serbia që ta arrijnë marrëveshjen përfundimtare?

James Ker-Lindsay: Është padyshim e vështirë të thuhet, dhe mendoj se pika tjetër që duhet ngritur është se, edhe nëse plani çohet tutje, nuk është saktësisht marrëveshje përfundimtare. Dua të them se prapëseprapë e lë të hapur pozicionimin e Serbisë ndaj Kosovës. Nuk e zgjidh atë. Disa mund të thonë se është një hap përpara. Unë e kam parasysh atë argument. Në fakt unë jam mjaft kritik ndaj këtij plani, sepse nuk mendoj se është mjaft ambicioz. Mendoj se e kuptoj pse edhe Serbia edhe Kosova do të ndihen shumë të pakënaqura për këtë.

Disa do të thoshin, mirë, shikoni, kjo është në fakt një bazë vërtet e mirë për një hap tjetër. Nëse dyja palët thonë, mirë, kjo nuk është në të vërtetë ajo që ne do të dëshironim, por mendojmë se është diçka që i çon gjërat një hap përpara. Shikoni, Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara mund ta konsiderojnë këtë si një rezultat pozitiv, veçanërisht, sipas meje, pasi ata e ndjejnë se palët nuk e dëshirojnë një gjë të tillë.

Por në fund të fundit, nuk mendoj se kjo është një marrëveshje veçanërisht efektive. Unë e shoh si diçka që është krijuar më shumë nga zhgënjimi se çdo gjë tjetër, pasi evropianët e shohin këtë si një çështje të rëndësishme se janë të brengosur ndaj ndikimit të Rusisë në Ballkan, dhe kanë thënë të provojmë e të shohim se çfarë mund të bëjmë. Por, me të vërtetë e kuptoj pse të dyja palët do të jenë të pakënaqura me të.

Pyetja është, natyrisht, nga pala serbe, nëse presidenti [Vuçiq] mendon se mund t’ia mbushë mendjen opozitës për këtë, sepse do të jetë efektivisht një hap mjaft domethënës nëse do të bëhet, që kjo do ta lë Serbinë në një pozicion nominalist […idetë e përgjithshme janë thjesht emra pa ndonjë realitet përkatës…].

Por unë gjithashtu mund të kuptoj pse Kosova është shumë e pakënaqur për këtë, sepse nuk po u jep atyre garancitë e njohjes që ata padyshim dëshirojnë t’i kenë. Pra, një përgjigje mjaft e gjatë, por do të thosha se është shumë e vështirë të thuhet se sa afër janë palët për një marrëveshje përfundimtare, sepse kjo nuk është në të vërtetë një negocim mes palëve. Kjo është një negociatë mes Serbisë dhe Bashkimit Evropian e Shteteve të Bashkuara, dhe ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian e Shteteve të Bashkuara. Nuk është një marrëveshje në thelb mes Serbisë dhe Kosovës.

Radio Evropa e Lirë: Po, por megjithatë jemi dëshmitarë, sidomos në fund të vitit 2022, që një numër i zyrtarëve të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara kanë nënvizuar se Kosova dhe Serbia, në vend që të ulen dhe të negociojnë, janë duke kaluar nga një krizë në tjetrën, pa ndonjë hap konkret në dialog. A mund të jetë kjo më pas, një shtysë që, në fakt, do ta ndryshonte këtë situatë dhe do t’i sillte të dyja palët në tryezë për të negociuar mes vete?

James Ker-Lindsay: Shikoni, në pikëpamjen time ky është një plan që nuk ka ambicie përbrenda vetes. Qartazi e kemi një problem mes Kosovës dhe Serbisë. Jemi në prag të 15-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, nga shkurti i vitit 2008. Nuk mendoj se dikush e ka menduar se do ta gjejmë vetën në situatën që jemi sot.

Që ta dini, sikur të më kishit pyetur 10 vjet më parë, situata është dukur shumë, shumë më premtuese sesa sot. Gjithashtu mendoj se situata është në pikën ku dikush mund të thotë se ky propozim është një hap para. Por në të vërtetë mendoj se kjo nuk kryen punë për çështjen përfundimtare. Edhe Serbia, edhe Kosova kanë nevojë për një zgjidhje përfundimtare. Dhe kjo duhet nënkupton se të dyja palët duhet të pranojnë realitetin që kanë përpara syve. Ajo që dua të them është se edhe nëse i pëlqen apo jo Serbisë, dhe besoj se shumica e zyrtarëve të lartë në Serbi e dinë mirë, është që Kosovën e kanë humbur.

Rezultati më i mirë dhe më i arsyeshëm është të jenë në gjendje ta pranojmë këtë dhe të thonë, mirë, në rregull, ne do ta njohim Kosovën. Është një vendim i dhimbshëm, por ne do ta bëjmë. Por në këmbim, ne duhet të kemi garanci të hekurta se statusi i serbëve në Kosovë do të mbrohet, se ata do të lejohen të kenë një marrëdhënie të veçantë me ne dhe se objektet fetare gjithashtu do të mbrohen.

Dhe unë mendoj se Bashkimi Evropian, në vend që të shtyjë për këtë lloj pjese, duhet të thotë, mirë, në rregull, asociacioni do të ngrihet, por nuk do të ketë çështje njohjeje. Unë mund ta kuptoj pse shumë në Kosovë janë të pakënaqur për këtë, por gjithashtu e kuptoj pse shumë në Serbi janë shumë të pakënaqur me idenë se Kosova do t’iu bashkohet më shumë organizatave ndërkombëtare, potencialisht edhe Kombeve të Bashkuara.

Sepse nëse jemi vërtet të sinqertë, nëse Kosova hyn në Kombet e Bashkuara, atëherë nëse Serbia nuk e njeh atë, Serbia do të duket qesharake. Dua të them, efektivisht, do të duket si dikush i ulur në një qoshe, përderisa Kosova shijon festën.

Ajo do të jetë, me të gjitha synimet dhe qëllimet, një shtet plotësisht i njohur në skenën botërore, dhe Serbia do të jetë i vetmi vend që nuk e njeh atë, gjë që do të ishte një pozicion shumë i çuditshëm dhe qesharak për Serbinë. Pra, në shumë mënyra, do të kishte shumë më tepër kuptim nëse Bashkimi Evropian do të kishte hyrë dhe do të ishte më ambicioz dhe do të thoshte, mirë, çfarë mund të bëjmë për t’i vënë një vijë kësaj çështjeje?

Të thotë çfarë duhet bëhet? Serbi, kemi nevojë që të çojmë në pozicionin se duhet të njohësh [pavarësinë e Kosovës] dhe se e dimë se sa e vështirë është, por çfarë mund të bëjmë për këtë. Çfarë mund të bëjmë në Kosovë? Çfarë mund të bëjmë që të përshpejtojmë rrugëtimin për anëtarësim në BE. Çfarë mund të bëjmë për të shtuar investimet në Serbi? Pra, një plan të madh për të zgjidhur këtë. Sepse nuk mendoj se ky plan që e kemi në tavolinë zgjidh ndonjë gjë. Nuk do t’i japë as Serbisë e as Kosovës atë që ato duan. Pra, mendoj se është një zgjidhje e përkohshme, por nuk e zgjidh problemin.

“Të dyja palët janë nën presion të konsiderueshëm”

Radio Evropa e Lirë: Megjithatë, me të dyja palët, siç thatë ju, të pakënaqura me vendimet që duhet të marrin për të pranuar këtë plan, a nuk do të ishte ky, në fakt, përkufizimi i kompromisit? Ndërkaq, të dy zyrtarët e lartë deklaruan se ka një lloj presioni te ta, në fakt jo presion, por tani kemi detaje. Pra, edhe Kurti edhe Vuçiqi pranuan se ka një presion mbi ta për të pranuar marrëveshjen. Cila pjesë është nën presion më të madh? Serbia apo Kosova, sipas jush?

James Ker-Lindsay: Epo, mendoj se është e rëndësishme të përmend se e them këtë si dikush që ka punuar në shumë procese paqeje gjatë viteve dhe kam mjaft përvojë praktike në këtë, si dhe fakti që kjo është fusha ime akademike e studimit – zgjidhja e konflikteve. Kështu që mendoj se është e rëndësishme të thuhet se disa do të thonë, “mirë, nëse të dy janë të pakënaqur, atëherë kjo është një shenjë e mire”. Jo, mendoj se është pak më e ndjeshme se kaq. Kemi procese paqeje ku shkenca del dhe thotë, shikoni, ne jemi të pakënaqur me X, Y dhe Z, por në përgjithësi, ne mund të jetojmë me të. Kjo nuk është aso lloj marrëveshjeje. Unë mendoj se ajo që do të shohim këtu është pakënaqësi, e cila në fakt nuk e zgjidh problemin, përkundrazi, ngre problem.

Nuk e zgjidh këtë çështje. Ajo thjesht ofron një mënyrë afatshkurtër për të provuar dhe lehtësuar situatën. Ne kemi nevojë për një zgjidhje të madhe ku, siç them unë, të dyja palët mund të dalin prej saj dhe të thonë, shikoni, kjo nuk është domosdoshmërisht pikërisht ajo që do të dëshironim, por ne mund të jetojmë me të. Ka elementë që nuk na pëlqejnë. Por në përgjithësi, e dini çfarë? Kjo e zgjidh problemin. Dhe Serbia, dhe në këtë rast, Serbia dhe Kosova mund të vazhdojnë dhe thjesht të fillojnë të jetojnë si fqinjë dhe të punojnë me njëra-tjetrën dhe të vendosin një vijë mbi gjithë këtë çështje.

Dhe thjesht nuk mendoj se ky [plani SHBA-BE] e përmbush nevojën.

Sa i përket asaj se cila palë është nën më shumë presion, mendoj se të dyja palët janë nën presion të konsiderueshëm për këtë. Mendoj se është çështje se cila palë mendon se është më e gatshme të bëjë kompromis, duke pasur parasysh këtë presion. Dhe për momentin, me siguri do të duket se Beogradi është ai që duket më i hapur për të thënë, shikoni, e dini çfarë, ne me të vërtetë nuk na pëlqen kjo. Por alternativa, humbja e investimeve, është shumë serioze.

Kosova, në anën tjetër, dua të them se deklaratat që po shohim nga kryeministri Kurti, mund të duket se ai nuk e ndjen veten të jetë në këtë situatë. Ai po merr një pozicion shumë më të ashpër. Mund të ndodhë që Beogradi ta shohë atë [Kurtin] dhe të thotë, ai do ta bllokojë, dhe nëse ne themi se do të vazhdojmë me të, atëherë ndoshta ky është një shans për ne që të fitojmë disa lëvdata dhe përkrahje në kryeqytetet evropiane duke u paraqitur si një palë më e moderuar, duke e ditur se sa e kundërshton Prishtina këtë marrëveshje.

Në përgjithësi, nuk më bën shumë përshtypje e gjithë kjo. Shoh një sërë problemesh në implementim, edhe nëse çohet përpara. Nuk mendoj se është fundi i rrugës, mendoj se në fund të fundit na duhet një marrëveshje e madhe që realisht i zgjidh të gjitha këto çështje, dhe i bën të dyja palët që të ulen. Besoj se edhe Beogradi, edhe Prishtina, edhe komuniteti ndërkombëtar duhet të mendojnë se cilat janë çështjet themelore, cilët janë problemet themelore, që nuk janë adresuar realisht në gjithë këtë situatë. Dhe pastaj të thonë se çfarë mund t’u ofrojmë realisht të dyja palëve në mënyrë që ato t’i vënë vijën kësaj çështjeje dhe të pranojnë njëra-tjetrën si shtete të barabarta, duke respektuar të drejtat e minoriteteve, gjë të cilën Serbia do ta shohë në komunitetin e saj në Kosovë.

“Njohja do të ishte një pjesë kyçe e çdo zgjidhjeje”

Radio Evropa e Lirë: Nëse njohja reciproke do të ishte brenda këtij propozimi që është në tryezë tani, a do ta konsideronit atë më të zbatueshëm, optimist? A e shihni se njohja reciproke duhet të jetë pikërisht tani, të vihet në fokus dhe kjo është, le të themi, pika fillestare për marrëveshjen përfundimtare?

James Ker-Lindsay Me një fjalë, po. Mendoj se duhet të synojmë për këtë. Tani, e di mirë se sa e vështirë është kjo për Serbinë. Kam shkruar shumë për Kosovën. Kam shkruar për fushatën e Serbisë për të penguar njohjen e Kosovës.

Por unë mendoj se realiteti tani është që pas 15 vjetësh, pasi Kosova u njoh nga gjysma e vendeve të Kombeve të Bashkuara, dhe nëse do të jemi të sinqertë, që edhe nëse është e mundur [Kosova] të thonin nesër “Në rregull, mirë, ne do të heqim dorë nga pavarësia jonë. Por për t’iu bashkuar shtetit serb, ne duam X, Y dhe Z, duke përfshirë një të tretën e të gjithë deputetëve. Ne duam vende në tryezën e kabinetit. Ne duam të kemi mundësinë të jemi nënkryetar e tjera”, gjëra për të cilat do të flisnim në situata të tjera. Për shembull, Qiproja, ky është një rast që unë e di. Mendoj se serbët e zakonshëm do ta refuzonin këtë. Ata nuk do të donin që Kosova të kthehej brenda shtetit serb në atë mënyrë.

Por e kuptoj pse shumë në Serbi ndihen shumë të pakënaqur për mënyrën se si Serbia e humbi Kosovën. Këtë e kuptoj plotësisht. Por realiteti është, 15 vjet më vonë, ka kuptim që Serbia dhe Kosovën ta pranojnë njëra-tjetrën.

Pra, po, njohja do të ishte një pjesë kyçe e çdo zgjidhjeje, por në të njëjtën kohë, një pjesë kyçe e çdo zgjidhjeje do të duhej të ishte edhe pranimi i së drejtës së serbëve të Kosovës që të kenë një shkallë autonomie për veten e tyre.

Pra, në shumë mënyra, ajo që po propozohet në këtë moment është pjesë e rrugës për atje. Po ofrohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe, që mendoj se është një element i rëndësishëm në çdo zgjidhje përfundimtare, por nuk po e balancon atë me njohjen e plotë. Dhe këtu mendoj se fokusi duhet të jetë në arritjen, siç them unë, një marrëveshje përfundimtare.

Sepse të gjitha këto probleme të tjera, çështja e targave, çështjet e dokumenteve të identifikimit, të gjitha zhduken brenda natës, nëse Serbia dhe Kosova e njohin njëra-tjetrën si shtete, të gjitha këto mund t’i trajtoni shumë më lehtë, shumë më efektivisht kur ta kaloni atë pengesë.

Kështu që unë mendoj se jemi aty ku jemi në situatë. E kuptoj pse shumë në Serbi janë të pakënaqur për këtë, por sinqerisht, mendoj se një zgjidhje e tillë thjesht do të kishte më shumë kuptim, sepse ne do t’i lëmë shumë nga këto çështje të hapura me propozimin aktual në tryezë dhe ne do të kthehemi në negociata të vogla të pafundme mbi X, Y dhe Z. Kjo thjesht nuk e zgjidh problemin. Ose sigurisht nuk e zgjidh problemin siç e shoh unë, si një person që ka punuar në këto çështje për një kohë mjaft të gjatë.

Radio Evropa e Lirë: E përmendët diçka kur filluam të flasim për ndikimin dhe ndikimin e pushtimit rus në Ukrainë për përpjekjet e përbashkëta të BE-së të SHBA-së për t’iu afruar marrëveshjes ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Pra, në çfarë mase mendoni se pushtimi rus në Ukrainë i ka rritur këto përpjekje të përbashkëta për të lehtësuar arritjen e marrëveshjes përfundimtare midis Serbisë dhe Kosovës?

James Ker-Lindsay: Mendoj se ka pasur një efekt të madh. Mendoj se pushtimi rus i Ukrainës na ka bërë të përqendrohemi padyshim edhe më shumë në sigurinë evropiane. Mendoj se ka pasur shumë pakënaqësi, për ta thënë më butë, në pozicionin e Serbisë. Dhe faktin se si Serbia është i vetmi vend evropian që nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë, kjo vërtet bie në sy. Mendoj se kjo në fakt e ka njollosur shumë keq reputacionin e Serbisë. Dhe në një kohë kur Serbia, padyshim që do të dëshironte të përmirësonte pozitën e saj ndërkombëtarisht, kjo i ka bërë shumë dëme.

Radio Evropa e Lirë: Çfarë do të humbasë Rusia pasi të arrihet marrëveshja? Çfarë lloj, le të themi, pakënaqësi do të krijojë për Moskën? A do të humbasë polin e saj kryesor të ndikimit në Ballkanin Perëndimor? A do të jetë kjo marrëveshje humbja e Rusisë në Ballkanin Perëndimor?

James Ker-Lindsay: Jo sipas kësaj marrëveshjeje. Dhe në fakt, pikëpyetja e madhe që Kosova padyshim ka në këtë është ajo që thotë, në rregull, Serbia nuk do të pengojë hyrjen e Kosovës në organizatat ndërkombëtare. Por kjo nuk është njësoj si të fitosh rreth Rusisë për të lejuar që Kosova të mund të anëtarësohet në OKB.

Shumë në Kosovë do të thoshin, mirë, shikoni, ne do ta bëjmë këtë marrëveshje me Serbinë, por nuk mund të jemi të sigurt se Rusia do ta lejojë atë, se Rusia më pas do të japë rekomandimin e nevojshëm nga Këshilli i Sigurimit, i cili do të lejojë Asamblenë e Përgjithshme pastaj të votojë për anëtarësimin e Kosovës. Pra, ne do ta japim Asociacionin, por nuk do të marrim atë që duam realisht nga kjo. Dhe ky është realiteti. Është shumë e vështirë për Rusinë që ta bllokojë Kosovën nga anëtarësimi në Kombet e Bashkuara.

Nëse Serbia ka thënë, ne tani e njohim atë, vetëm se Rusia ende mund ta bëjë këtë, por do të ishte shumë më e vështirë për Moskën ta bënte këtë nëse Serbia atëherë thoshte, shikoni, kjo është situata. Pra, pa njohjen e Serbisë, edhe nëse Del Grey thotë, mos e bllokoni, gjë që unë thjesht nuk mund ta shoh se po ndodh, atëherë mendoj se Rusia do të thoshte, mirë, e dini çfarë? Ne do ta bëjmë këtë sepse kemi disa çështje që duam të trajtohen. Është shumë më e vështirë për Rusinë të jetë në gjendje të thotë se nëse Serbia thotë se ne e kemi njohur tani si shtet të pavarur, është koha që ajo të anëtarësohet në Kombet e Bashkuara.

Pra, siç qëndron kjo marrëveshje, në të vërtetë nuk ka ndonjë ndryshim për Moskën. Nuk mund ta shoh Moskën të ndryshojë pozicionin e saj. E vetmja mënyrë që Moska do të vihet në një pozicion më të ashpër për këtë është nëse Serbia shkon për njohje.

Go to TOP