Kaq shpejt harrove Rambo? Dje e akuzoi për ndarjen e Kosovës, sot e përqafoi Ramën
Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, jo më larg se një vit më parë, hodhi akuza të ashpra në adresë të Edi Ramës.
Në thuajse të gjitha daljes publike, Haradinaj atakonte Ramën si njeriu që kishte propozuar ndarjen e Kosovës, përmes tezës së rishikimit të kufijve.
SYRI sjell në vëmendje deklaratën e fortë të Haradinajt në ‘Open’ kur u shpreh se Rama, me fanatizëm, kishte qenë më i zellshmi për ndarjen e vendit.
“Kjo është një paturpësi e Edi Ramës. Nëse është dashur dikush me e padit atë njeri, duhet të isha unë, për angazhimin e tij fanatik për ndarjen e Kosovës. Ka qenë shtytësi kryesor i ndarjes. Ai e ka përhapur këtë ide, të gjithë njerëzit përreth tij, lobet e mediave, mercenarët e tij. Nuk mundem të hesht, kur dikush ka shënuar ndarjen e vendit, tani bën hajgare me një padi, nuk mund të hesht. Nuk mund të bëhet më keq brenda shqiptarëve. Për shumë kohë ka punuar për ndarjen e Kosovës dhe tashmë bën edhe padi”, ishin akuzat e Haradinajt për Ramën, në përgjigje të padisë që kishte depozituar kryeministri ndaj tij.
Por për çudi, ditën e sotme, rreth një vit pas këtyre akuzave të forta, në Tiranë pamë një Ramush Haradinaj krejt tjetër.
Kreu i AAK u përqafua me Edi Ramën sikur të mos kishte ndodhur asgjë.
Jo pa qëllim në rrjet po qarkullojnë videot e Haradinajt, kur akuzonte Ramën, me mbishkrime të tilla si: Kaq shpejt harrove Rambo?
