Kapen barna të kontrabanduara në barnatore dhe banesa private në Ferizaj

Njësitet Antikontrabandë të Doganës së Kosovës zbuluan sot në Ferizaj barnatore që shisnin ilaçe të kontrabanduara, të strehuara në kushte të rrezikshme për shëndetin e qytetarëve.

Dogana e Kosovës bën të ditur se ka realizuar sot kontrolle në dy barnatore dhe dy banesa pas pranimit të informacioneve nga qytetarët për prezencë të barnave pa banderola të Republikës së Kosovës.

Njësitet Antikontrabandë të Doganës kanë hasur “një sasi të konsiderueshme të barnave të kontrabanduara nga vende të ndryshme, të cilat ishin të strehuara në kushte të mjerueshme, duke rrezikuar kështu drejtpërdrejt shëndetin e qytetarëve”.

Për gjetjet është njoftuar Prokuroria Themelore në Ferizaj dhe, sipas Doganës, “me urdhër të Prokurorit, nga zyrtarët e Hetuesisë së Doganës së Kosovës është duke u intervistuar pronari i barnatoreve”.

Dogana e Kosovës thekson se mbetet e përkushtuar “në luftimin e kontrabandës dhe në mbrojtjen e shëndetit dhe sigurisë së qytetarëve të Republikës së Kosovës”. /Kosova.info/


Go to TOP