Kandidati për president i Kongos dënohet me shtatë vjet burgim për fyerje të presidentit
Një gjykatë e lartë në Republikën Demokratike të Kongos ka dënuar kandidatin presidencial Jean-Marc Kabund me shtatë vjet burg për 12 akuza, duke përfshirë përhapjen e thashethemeve të rreme dhe fyerjen e kreut të shtetit, tha avokati i tij të mërkurën.
Kabund ishte një ish-nënkryetar i parlamentit dhe një bashkëpunëtor i ngushtë i Presidentit Felix Tshisekedi, i cili krijoi partinë e tij politike vitin e kaluar pasi të dy u përplasën.
Ai është mbajtur në burgun kryesor të Kinshasës që nga arrestimi i tij në gusht të vitit 2022, pasi ai e quajti Tshisekedi një “rrezik” dhe kritikoi qeverinë e tij në një fjalim.
“Gjykata e dënoi atë me katër muaj për nëntë veprat e para dhe 16 muaj për tri të fundit”, tha avokati i Kabund Kadi Diko për Reuters, duke shtuar se veprat më të rënda ishin “përhapja e thashethemeve të rreme” dhe “përçmimi i kreut të shtetit dhe parlamentit”.
“Ky është një vendim jashtëzakonisht i ashpër, aq më tepër që nuk ka ku të ankohemi”, shtoi avokati.
Kabund nuk ishte i pranishëm për vendimin, por në një seancë dëgjimore muajin e kaluar u mbrojt dhe përsëriti vërejtjet e tij.
Kongo pritet të mbajë zgjedhjet e përgjithshme më 20 dhjetor, në të cilat Tshisekedi ka të ngjarë të kërkojë një mandat të dytë. Tensionet politike janë rritur përpara procesit të votimit.
Një zëdhënës i opozitës u qëllua për vdekje në kryeqytetin Kinshasa në korrik, ndërsa partitë opozitare kanë mbajtur protesta të dhunshme duke denoncuar parregullsitë në regjistrimin e votuesve.
Kabund u dënua nga Gjykata e Kasacionit, një nga gjykatat më të larta të Kongos, e cila nuk lejon apelimet.
Ai kishte shpallur synimin e tij për të kandiduar për president si kreu i partisë së tij “Aleanca për Ndryshim” në votimin e ardhshëm, shkruan Reuters.
