Kamberi: Mitrovica është kujtimi i së kaluarës, prova e së tashmes dhe garancia e së ardhmes sonë
Bartësi i listës së Lidhjes Demokratike të Kosovës për Kuvendin Komunal të Mitrovicës, Safet Kamberi, ka theksuar se ky qytet nuk është thjesht vendbanim, por simbol i qëndresës dhe i së ardhmes së një populli.
“Mitrovica nuk është thjesht qyteti ynë, është kujtimi i së kaluarës, prova e së tashmes dhe garancia e së ardhmes sonë. Ky qytet është shpirti i një populli që ka kaluar stuhi, por që kurrë nuk është gjunjëzuar”, ka deklaruar Kamberi.
Ai tha se përfaqësimi i tij në listën e LDK-së nuk është vetëm emër në fletëvotim, por mbështetje nga njerëz të profesioneve të ndryshme, me përvojë, ndershmëri dhe guxim për të thënë të vërtetën.
Duke folur për identitetin e LDK-së, Kamberi potencoi se rugovizmi nuk është slogan apo flamur elektoral, por frymë që mbetet e gjallë brenda partisë. “Qëndrestarët nuk shtegtojnë nëpër foletë e rivalëve, ata qëndrojnë aty ku kjo frymë u bë histori. Dhe sot, ne në LDK jemi trashëgimtarët e vërtetë të kësaj rruge,” shtoi ai.
Kamberi gjithashtu nënvizoi se ky rrugëtim politik është më i madh se individët dhe synon të rikthejë besimin se politika duhet të jetë shërbim dhe jo privilegj. Ai dha mbështetjen e tij për kandidatin e LDK-së për kryetar të Mitrovicës, Gezim Plakolli, të cilin e cilësoi si njeriun e duhur për të udhëhequr qytetin.
“Më 12 tetor, fjala është e juaja. Dhe fjala e juaj është fuqia që e ndryshon Mitrovicën,” përfundoi Kamberi. /Kosova.info/
