Kamberi dhe SDA me iniciativë për dënimin e gjenocidit në Srebrenicë

Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka bërë të ditur se bazuar në Rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së 78/282 të datës 23 maj 2024, bashkë me deputetët e SDA Sanxhak, Ahmedin Shkrijel dhe Selma Kuçeviq, e kanë nisur një iniciativë në Kuvendin e Serbisë për aprovimin e Rezolutës që dënon gjenocidin në Srebrenicë.

Megjithatë, Kamberi ka theksuar se meqë negacioni i gjenocidit dhe krimeve të luftës është shndërruar në kulturë të politikës shtetërore në Serbi, nuk mund të pritet që ajo edhe të përkrahet nga shumica në Kuvendin popullor.

“Nëse do të miratohet Rezoluta që kërkon shpalljen e 11 korrikut si Ditën e Përkujtimit ndaj viktimave të gjenocidit, duke nderuar ato, por, edhe duke u angazhuar për parandalimin e tilla mizorive në të ardhmen, e cila konsideron se ‘shkeljet e të drejtave të njeriut dhe të drejtave të pakicave mund të jenë tregues të hershëm të mundësisë së gjenocidit”, do të përfaqësonte një hap të rëndësishëm drejt drejtësisë, pajtimit dhe respektimit të të drejtave të njeriut në rajon”, ka shkruar ai në Facebook.

Tutje, Kamberi shtoi se iniciativa ka për qëllim të dëshmojë se në Serbi ekzistojnë forca politike që kundërshtojnë politikën zyrtare të negacionit të krimeve të luftës, gjenocidit dhe shtrojnë si objektiv domosdoshmërinë që Serbia të ballafaqohet me krimet që janë kryer në emër të saj. /Kosova.info/

Go to TOP