Kaloi në amshim Fethullah Gylen – ikona e dialogut ndërfetar dhe shërbimit ndaj njerëzimit
Shkruan: Demir REShITI
Sot mediat në mbarë globin njoftuan për kalimin në amshim të mendimtarit shkrimtarit e predikuesit mysliman Fethullah Gylen, i cili ndërroi jetë në moshën 83-vjeçare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pas një periudhe të gjatë trajtimi në spital.
Gylen, i njohur për kontributet e tij në fushën e edukimit dhe dialogut ndërfetar, do të mbahet mend si një figurë influencuese në përpjekjet për të ndërtuar ura mirëkuptimi dhe bashkëjetese mes kulturave dhe besimeve të ndryshme.
Fethullah Gylen ishte dijetar, klerik, autor librash dhe aktivist i shquar turk, i cili me mendimet dhe kontributin e tij ka frymëzuar një lëvizje globale që synon shërbimin ndaj njerëzimit, pajtimin, dialogun, tolerancën dhe respektimin e çdo njeriu.
Me anë të dhjetëra librave e qindra ligjëratave Gyleni ka nxitur njerëzit të investojnë në edukim e në shkencë për t’i shërbyer njerëzimit.
Injoranca, varfëria dhe përçarja janë armiqtë realë të botës sonë sipas Gylenit, andaj ai i ftonte njerëzit që të bashkëpunojnë për çrrënjosjen e tyre. Paqja globale ishte një ndër qëllimet më madhore të Gylenit, prandaj ai i motivonte të gjithë drejt një jete me këtë qëllim.
Shumë libra të shkruara nga pena e këtij personaliteti të rëndësishëm janë botuar edhe në gjuhën shqipe dhe unë kam pasur rastin t’i lexoj e për disa nga to kam shkruar edhe vështrime. Gjithashtu kam pasur fatin të vizitoj shumë shkolla të hapura nga Lëvizja Gylen, në shtete të ndryshme si Turqi, Shqipëri, Maqedoni e Kosovë dhe jam impresionuar nga puna që bëhej në ato shkolla ku krahas mësimit cilësor nxënësit e studentët edukoheshin në frymën e tolerancës dhe respektit ndër-njerëzor.
I lindur më 27 prill 1941, në Turqi, Fethullah Gylen ishte themeluesi i lëvizjes “Hizmet” (Shërbimi), e cila përqendrohet në përmirësimin e shoqërisë përmes edukimit. Kjo lëvizje, e njohur për hapjen e shkollave në shumë vende të botës, ka nxitur miliona ndjekës që të investojnë në arsim dhe të kontribuojnë në shoqëri. Mësimet e tij theksojnë se injoranca, varfëria dhe përçarja janë armiqtë e vërtetë të njerëzimit, dhe ai ka ftuar njerëzit të bashkëpunojnë për të çrrënjosur këto fenomene negative.
Gylen, i njohur për qëndrim të tij pro-dialogut ndërfetar dhe besimin në vlerat universale, ishte një përfaqësues i traditës së ulemasë, duke sjellë një harmoni mes fesë dhe shkencës. Mënyra e tij e shprehjes, e mbushur me sinqeritet dhe përkushtim, e bëri atë një autoritet moral për shumë njerëz rreth botës.
Pavarësisht konflikteve me autoritetet turke, përfshirë akuzat nga Erdogani për lidhje me grushtin e shtetit të vitit 2016, ndikimi i Gylenit mbeti i pandryshuar në shoqërinë globale. Ai do të kujtohet gjithashtu për përkushtimin e tij ndaj paqes dhe harmonisë ndërmjet qytetërimeve, duke promovuar vlerat e tolerancës dhe bashkëjetesës.
Fethullah Gylen do të jetë gjithmonë një simbol i dialogut dhe bashkëpunimit për një botë më të drejtë. Trashëgimia e tij do të vazhdojë të jetojë përmes veprave dhe mësimeve të tij, duke frymëzuar brezat e ardhshëm për të ndjekur një rrugë të njohur dhe të paqes.
Në këtë moment të vështirë, i dërgojmë ngushëllimet tona të afërmeve dhe ndjekësve të tij anembanë botës. Lusim Zotin e madhërishëm që ta mëshirojë shpirtin e tij të bardhë!
