“Ka një shkallë ndikimi në perceptim”, Xhaferi për përfshirjen e Kurtit në zgjedhje

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, pasi ka votuar për raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale dhe atyre parlamentare është pyetur nga gazetarët për përfshirjen e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti në zgjedhje.

“Çdo deklarim publik ka një shkallë ndikimi në perceptim, por shpresoj që qytetarët të vendosin vetë. Unë jam kryeministër dhe Maqedonia e Veriut është njëri nga vendet e para që e ka njohur pavarësinë e Kosovës”, tha Xhaferi para gazetarëve.

Tutje, ai ka theksuar se pret zgjedhje të jenë të lira, derisa ka shtuar se “presim fitore bindëse”.

Qytetarët e Maqedonisë së Veriut u janë drejtuar të mërkurën kutive të votimit për t’i zgjedhur presidentin dhe parlamentin e ri të vendit, derisa deri tani nuk është raportuar për asnjë parregullsi në procesin e dyfishtë zgjedhor.

Në garën presidenciale janë dy kandidatë, fituesja e rundit të parë, kandidatja e VMRO-DPMNE-së në opozitë, Gordana Silanovska-Davkova, dhe kryetari aktual i shtetit, Stevo Pendarovski, i cili mbështetet nga Lidhja Social Demokrate (LSDM) në pushtet. E vota e shqiptarëve në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale do të jetë vendimtare për presidentin e ri të vendit.

Ndryshe, beteja kryesore në garën për 120 ulëset e parlamentit, ku marrin pjesë 17 lista të deputetëve, zhvillohet mes VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së në kampin maqedonas, ndërsa në kampin shqiptar mes Frontit Evropian të drejtuar nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) dhe koalicionit opozitar shqiptar VLEN, i cili mbështet nga kryeministri i Kosovës.

Go to TOP