Junik: LDK dhe PDK nënshkruajnë marrëveshje për bashkëqeverisje, kandidati i PDK-së tërhiqet dhe mbështet Ruzhdi Shehun

Në një zhvillim të rëndësishëm politik për komunën e Junikut, degët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) kanë nënshkruar sot një marrëveshje për bashkëpunim politik dhe bashkëqeverisje për mandatin 2025–2029.

Marrëveshja parashikon që kandidati i PDK-së për kryetar të komunës të tërhiqet nga gara dhe të mbështesë zyrtarisht kandidatin e LDK-së, Ruzhdi Shehun, për postin e Kryetarit të Komunës së Junikut.

Shehu, aktualisht kryetar dhe kandidat për mandatin e dytë, e cilësoi këtë bashkim si një hap të guximshëm dhe në interes të qytetarëve.

“Sot, Juniku dëshmoi se përballë interesit të qytetarëve, bashkimi është gjithmonë rruga e drejtë. Ky bashkim është shembulli më i mirë se si politika mund të shërbejë si urë e bashkimit, jo e ndarjes,” deklaroi ai.

Sipas marrëveshjes, strukturat e PDK-së dhe elektorati i saj do të mobilizohen për të mbështetur kandidatin e LDK-së në zgjedhjet e së dielës, më 12 tetor. Shehu theksoi se ky bashkim garanton një fitore të qartë dhe pa balotazh për LDK-në dhe për Junikun.

“E diel, 12 tetor, nuk do të jetë vetëm fitore e LDK-së, por fitore e Junikut dhe e të gjithë qytetarëve pa dallim. Kjo është politika e së ardhmes – bashkë për qytetarët e Junikut,” shtoi Shehu.

Ai falënderoi strukturat e PDK-së për vendimin e tyre të guximshëm dhe qytetarët brenda dhe jashtë vendit për përkrahjen e vazhdueshme duke theksuar se fitorja tashmë është “vulosur pa balotazh”.

Në përmbyllje, Shehu ftoi edhe kandidatët e tjerë që të bashkohen me këtë vizion të përbashkët për zhvillim, mirëqenie dhe dinjitet të Junikut.

#LDK113 #JunikuPërtej #Vazhdojmë+4PaBalotazh /Kosova.info/


Go to TOP