Jo femicid, por gjenocid në familjet tona!

Shkruan: Florim ZEQA

Kohëve të fundit është shtuar numri i vrasjeve të grave, të nënave dhe motrave tona shqiptare. Kjo është pasojë e mosfunksionimit të sistemit të drejtësisë, kurse mosfunksionimi i sistemit të drejtësisë është i lidhur ngushtë me mosfunksionimin e sistemit qeverisës në vend, përkatësisht i keqqeverisjes së vendit. 

Vrasjet dhe vetëvrasjet shkatërrojnë embrionin e shtetit 

Për fatin e keq, edhe përkundër ndërrimit të shpeshtë të qeverive, dukuritë negative po na përcjellin në çdo hap të jetës. Nuk janë vetëm vrasjet e grave, nënave dhe motrave tona, por janë edhe një varg i gjatë i dukurive negative të përhapura në vendin tonë, siç janë; piromania apo zjarrvënia e uzinave dhe objekteve afariste, djegia e dhomave të dëshmive të krimeve të rënda në stacionet policore, në IML dhe në gjykata, pastaj janë droga dhe prostitucioni, janë fajdexhinjtë dhe trafikantët e qenieve njerëzore dhe shumëçka tjetër e keqe që po ndodhin në vendin tonë, fenomene këto të paqena në Kosovën e dikurshme!

Kur e kemi fjalën tek narkomanët dhe fajdexhinjtë, shumë të rinj dhe të reja shqiptare po bien pre e kurtheve të tyre, ku si pasojë e pamundësisë së daljes nga situatat e rënda, si zgjidhje e fundit po iu mbetët vrasja e familjarëve, vetëvrasja apo vetëvarja në litarë!

Bosët e narkomanëve dhe fajdexhinjve janë të lidhur me bosët e politikës, andaj si të tillë janë të paprekshëm nga ligji dhe drejtësia! 

Brenda katër ditëve, dy vrasje të grave shqiptare 

Mosndëshkimi i kryerësve të veprave kriminale, është duke ndikuar drejtpërdrejt në shtimin e numrit të vrasjeve të grave, nënave dhe motrave tona shqiptare. Përveç “dënimit” verbal të liderëve shtetëror dhe partiak asgjë më shumë. Me pasojat e këtyre krimeve më nuk merret askush! Fëmijët jetim mbesin barrë e familjarëve të viktimave, kurse për fatin e kriminelëve nuk di më askush, se a ndodhen në burg apo jo!?

Në anën tjetër liderët shtetëror dhe partiak e kanë shpikur “ujin e nxehtë” me termin “femicid”, të këtij “ilaçi” vdekjeprurës të shoqërisë sonë!

Kosova është shumë e vogël për të ndodhur dy vrasje të grave brenda katër ditëve. Ky nuk është femicid po gjenocid që është duke ndodhur në shoqërinë tonë. Përmes këtyre vrasjeve është duke u shkatërruar në embrion familja shqiptare, është duke u shkatërruar bërthama e shtetit.

Secila vrasje më e rëndë sesa tjetra, secili rast më i trishtë se tjetri, secila vdekje më e kobshme sesa tjetra.

Përderisa dhimbja dhe plagët shpirtërore të familjarëve mbeten të përjetshme, për politikanët zhduken nga kujtesa e tyre në momentin e leximit të një teksti apo fjalimi para arkivolit të viktimës, aty përfundon edhe interesimi i institucioneve lokale dhe qendrore për fatin e fëmijëve të mbetur jetim shkaku i dorës së zezë kriminale!

Nuk dëshirojë të marrë rolin e prokurorit dhe as të gjykatësit, të politikanit assesi, por, sikur të merreshin vetëm tre kryerësit e vrasjeve të fundit të grave dhe të vareshin në litarë përkrahë njëri-tjetrit në sheshin kryesorë në kryeqytet, të tjerët do të mendonin mirë dhe gjatë para se ta kryenin aktin kriminal. 

Nëse nuk ndodh kjo, shumë shpejtë shqiptarët do t’i lënë mënjanë ligjet e shtetit dhe do t’iu kthehen rregullave kanunore për të mbrojtur nderin dhe dinjitetin familjarë, si domosdoshmëri e kohës për të mbijetuar nga rreziku i zhdukjes fizike si komb dhe shoqëri njerëzore, ngase shteti nuk po e bën këtë!

Go to TOP