Jep dorëheqje ministrja gjermane e Mbrojtjes

Ministrja gjermane e Mbrojtjes, Christine Lambrecht, ka dhënë dorëheqje nga Qeveria e kryeministrit Olaf Scholz.

Vendimi i saj është goditje për Scholzin, në kohën kur Gjermania është nën presion për të miratuar ndihmën shtesë për Kievin, si dhe në kohën kur kapacitetet e Gjermanisë në mbrojtje janë vënë në dyshim, pas heqjes nga përdorimi të tankeve Puma, gjatë stërvitjeve të fundit ushtarake.

Presioni për të gjetur një pasardhës është në rritje e sipër edhe për faktin se Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, pritet të vizitojë Berlinin të enjten dhe të marrë pjesë në një konferencë më pas të premten në bazën ushtarake amerikane në Ramstein, për të diskutuar mbështetjen e mëtejmë për Ukrainën.

Një zëdhënës qeveritar ka thënë se Lambrecht i ka kërkuar zyrtarisht kancelarit dorëheqjen dhe ai e ka miratuar atë.

E përditshmja gjermane The Frankfurter Allgemeine Zeitung, ka cituar disa burime të saj të kenë thënë se pasardhësi i Lambrecht do të bëhet i ditur të enjten.

Go to TOP