Jashari: Gjykata Speciale po rrezikon të barazojë viktimën me agresorin
Ish kryetari i Skënderajt, Bekim Jashari ka reaguar ashpër ndaj pretendimeve të Prokurorisë së Gjykatës Speciale lidhur me luftën çlirimtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës duke i cilësuar ato si të rrezikshme dhe të ndikuara nga propaganda serbe.
Sipas Jasharit, akuzat e ngritura janë vazhdimësi e narrativës serbe, e cila, siç tha ai, ka arritur të depërtojë fatkeqësisht edhe në këtë gjykatë. Ai theksoi se çdo vendim duhet të mbështetet në fakte, ndërsa faktet dhe argumentet historike janë qartazi në anën e popullit të Kosovës që luftoi për liri dhe krijoi UÇK-në.
Jashari kujtoi se UÇK-ja gëzoi mbështetje ndërkombëtare dhe ishte aleate e NATO-s në përpjekjet për të instaluar paqen në Ballkan duke nënvizuar se kjo luftë ishte e drejtë dhe në përputhje me ligjet ndërkombëtare të luftës. “Bota demokratike ka dëshmuar me fakte se UÇK-ja është e pastër si loti dhe se Kosova nuk ishte agresori”, tha ai.
Duke folur për krimet e luftës, Jashari theksoi se në Kosovë kishte vetëm një palë agresore – Serbinë – kriminelët e së cilës, sipas tij, vazhdojnë të jenë të lirë, pavarësisht se janë përgjegjës për vrasjen e mbi 10 mijë shqiptarëve, kryerjen e më shumë se 100 masakrave ndaj civilëve, dëbimin e rreth një milioni njerëzve dhe dhunimin seksual të mbi 20 mijë grave e vajzave shqiptare.
Në fund, ai theksoi se drejtësia ndërkombëtare nuk duhet të lejojë barazimin e viktimës me agresorin duke nënvizuar se askush nuk mund të dënohet në emër të këtij populli. “Ky popull e krijoi UÇK-në. UÇK-ja është vetë populli”, përfundoi Jashari. /Kosova.info/
