Japonia ndihmon QKMF-në në Deçan

Projekti për infrastrukturën mjekësore në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare “Adem Ukehaxhaj” në Deçan, përmes sigurimit të pajisjeve mjekësore, ka për qëllim përmirësimin e shërbimeve mjekësore dhe dentare, me një pajisje me ultratinguj, një karrige gjinekologjike dhe një autoklavë.

Kështu u shpreh i ngarkuari me punë në Ambasadën japoneze në Prishtinë, Hiroyasi Tanigaki, gjatë ceremonisë së dorëzim-pranimit të grantit për komunën e Deçanit.

 “Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare “Adem Ukehaxhaj” këtu në Deçan është përkrahur edhe në të kaluarën nga qeveria japoneze dhe Kryqi i kuq në vitin 2001. Kjo është ndihma e parë që i jepet komunës së Deçanit në këtë aspekt drejtpërdrejt për Qendrën Kryesore të mjekësisë familjare dhe po ashtu ambasada dhe populli japonez është i gatshëm që edhe në të ardhmen ta ndihmojë komunën e Deçanit dhe popullin e Kosovës në përgjithësi”, ka thënë Hiroyasu TANIGAKI i ngarkuar me punë, Ambasada e Japonisë në Kosovë.

Donacioni i ambasadës japoneze është mirëpritur nga stafi mjekësor.

“Për ne ka qenë një punë dhe donacion shumë i mirëpritur, na ka lehtësua shumë punën në diagnozstifikimin e pacientëve. Janë vizituar 4468 pacientë do të thotë janë krye vizita me ultrazë”, ka thënë Dr. Adelina Lokaj.

 “Diku 240 pacientë kanë marrë shërbime me karrigen gjinekologjike dhe 2680 pacientë kanë marrë shërbime në stomatologji. Kjo e ka ulë shumë incidencën e infeksioneve qoftë në stomatologji qoftë në gjinekologji për çka se është sterilizimi më i sigurt”, ka thënë Dr. Hasan Gjikokaj, drejtor i QKMF në Deçan.

Sipas zyrtarëve të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare “Adem Ukehaxhaj” në Deçan, vlera e përgjithshme e projektit është mbi dyzetmijë euro.


Go to TOP