Izraeli thotë se e ka vrarë liderin e Hezbollahut, Hassan Nasrallah
Ushtria izraelite tha të shtunën se e ka vrarë Hassan Nasrallahun, liderin e grupit militant Hezbollah, gjatë një sulmi në Bejrut të premten.
Ushtria tha se e kreu një sulm ajror preciz në selinë qendrore të Hezbollahut në Dahieh, ku ishin mbledhur liderët e Hezbollahut.
Ali Karki, komandant i Frontit Jugor të Hezbollahut, dhe komandantë të tjerë të Hezbollahut, u vranë nga ky sulm gjithashtu, tha ushtria izraelite.
Ministria e Shëndetësisë e Libanit tha se 6 njerëz u vranë dhe 91 të tjerë u plagosën nga sulmet e të premtes, si pasojë e të cilave gjashtë ndërtesa banimi u bënë rrafsh me tokën.
Nasrallahu e ka udhëhequr Hezbollahun për më shumë se tri dekada. Hezbollahu nuk e ka komentuar ende lajmin për vdekjen e tij.
Izraeli i vazhdoi sulmet ajrore kundër Hezbollahut edhe të shtunën, teksa grupi militant shkrepi dhjetëra raketa drejt Izraelit.
Hezbollahu është grup militant dhe parti politike njëkohësisht, i cili e kontrollon pjesën më të madhe të Libanit jugor.
Hezbollahu është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, ndërsa Bashkimi Evropian e ka vendosur në listën e zezë krahun e tij të armatosur, por jo edhe partinë e tij politike. Partia politike e Hezbollahut ka ulëse në Parlamentin libanez.
Mediat izraelite raportuan të shtunën në mëngjes se vajza e Nasrallahut, Zainab Nasrallah, është vrarë. Hezbollahu nuk e ka konfirmuar këtë lajm. Djali i Nasrallahut, Hadi, u vra gjatë luftimeve kundër trupave izraelite më 1997.
Ushtria izraelite tha se sulmi i së premtes u krye vetëm ndaj “selisë qendrore” të Hezbollahut, pa e përmendur emrin e Nasrallahut. Një zyrtar i lartë izraelit tha për media se në shënjestër të sulmit ishin komandantët e Hezbollahut.
Norman Roule, analist nga Instituti Kombëtar i Sigurisë me bazë në Uashington, tha se Izraeli e ka dobësuar Hezbollahun aq shumë saqë Qeveria libaneze mund ta shuajë këtë grup.
“Forcat e Mbrojtjes së Izraelit kanë zhdukur një brez të tërë të udhëheqësve të Hezbollahut, të cilët marrin me vete një përvojë të madhe kolektive që është e pazëvendësueshme. Në një botë ideale, Qeveria libaneze do ta përdorte këtë moment për të forcuar autoritetin e saj dhe për të larguar nga Libani këtë grup të armatosur. Megjithatë, është ende herët për të thënë nëse kjo do të ndodhë”, tha Roule për Radion Evropa e Lirë.
Tw premten, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu paralajmëroi në Kombet e Bashkuara se sulmet kundër Hezbollahut nuk do të ndalen.
Gjatë fjalimit të tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, Netanyahu i dha një paralajmërim të ashpër armikut të tij të vjetër, Iranit, duke thënë se “nuk ka vend në Iran ku Izraeli nuk mund të arrijë”, nëse republika islamike vazhdon të përpiqet ta sulmojë Izraelin.
Ai gjithashtu tha se “do të vazhdojmë të dobësojmë Hezbollahun deri sa t’i përmbushim të gjitha synimet tona”.