Izraeli po tenton ta “dobësojë” Hezbollahun si forcë politike dhe ekonomike
Bombardimet disa javore të Izraelit dhe ofensiva tokësore në Liban kanë shënjestruar udhëheqjen dhe aftësitë ushtarake të Hezbollahut, që është grup militant dhe parti politike që kontrollon shumicën e jugut të Libanit.
Tani, Izraeli ka zgjeruar objektivat e tij dhe ka goditur infrastrukturën civile, përfshirë bankat, që janë të lidhura me Hezbollahun. Ekspertët thanë se qëllimi i Izraelit është ta dobësojë Hezbollahun, jo vetëm si fuqi ushtarake, por edhe si forcë politike dhe ekonomike në Liban.
Hezbollahu është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, ndërkaq Bashkimi Evropian ka futur në listë të zezë vetëm krahun e tij politik. Partia e Hezbollahut ka ulëse në Parlamentin libanez.
“Përtej degradimit të aftësive ushtarake, personelit dhe armëve, sigurisht që ka një përpjekje izraelite për ta dobësuar Hezbollahun në aspektin politik, shoqëror dhe financiar”, tha Eran Etzion, ish-diplomat izraelit dhe ish-udhëheqës i Këshillit për Siguri Kombëtare të Izraelit.
Më 21 tetor, sulmet ajrore izraelite goditën degët e Shoqatës Al-Qard Al-Hassan(AQAH), që është e lidhur me Hezbollahun.
Kjo bankë ofron shërbime financiare për civilët në zonat ku Hezbollahu ka mbështetje të madhe. Por, Izraeli dhe ShBA-ja e kanë akuzuar këtë bankë se shërben si front për grupin për të financuar aktivitetet e tij ushtarake.
Shënjestimi i degëve të AQAH-ut nga Izraeli “shënon zgjerim, në kuptim të llojeve të objektivave që Izraeli po godet”, tha Etzion. Por, kjo nuk do të thotë se Izraeli po tenton që krejtësisht ta shkatërrojë Hezbollahun, shtoi ai.
Ekspertët thanë se Izraeli nuk synon shkatërrimin e Hezbollahut, për shkak se ky është një qëllim joreal. Në vend të kësaj, thanë ata, Izraeli tani po tenton të degradojë aftësitë ushtarake të grupit dhe bazën e tij politike.
“Hezbollahu është fuqia politike mbizotëruese në Liban dhe nëse ai dobësohet ushtarakisht, kjo do të zvogëlonte edhe fuqinë e tij politike”, tha Joost Hiltermann, drejtor i Programit për Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut në Grupin Ndërkombëtar të Krizave, me bazë në Belgjikë.
Sipas sistemit politik sektar të Libanit, presidenti është i krishterë, kryeministri është mysliman sunit dhe kryetari i Parlamentit mysliman shiit.
Hezbollahu, baza e pushtetit të të cilit është në mesin e shiitëve, ka përfaqësues në nivel ministror dhe parlamentar. Aleanca e tij me partitë joshiite po ashtu i mundëson ndikim të mëtejmë politik.
Hiltermann vuri në dyshim nëse Izraeli ka aftësi për të bërë ndryshime politike në Liban. Hezbollahu, që mbështetet nga Irani, është më i fuqishëm sesa edhe vetë ushtria libaneze dhe franskionet më të vogla politike në Liban nuk kanë forca ushtarake apo ndikim politik për ta larguar atë krejtësisht nga skena, tha ai.
Pasi pushtoi Libanin më 1982, Izraeli tentoi dhe dështoi që të rifomësonte skenën politike të Libanit, duke sjellë në pushtet një parti të krishterë proizraelite.
“Ekziston një pranim se aftësitë e Izraelit në atë sferë janë të kufizuara”, tha Etzion.
Për Netanyahun, çështja është personale
Vëzhguesit thanë se udhëheqësit civilë dhe ushtarakë të Izraelit janë të ndarë lidhur me atë se si t’i qasen konfliktit me Hezbollahun.
Njëri kamp dëshiron që lufta të përfundojë dhe të arrihet një zgjidhje politike bazuar në Rezolutën 1701 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Kjo do të përfshinte tërheqjen e luftëtarëve të Hezbollahut nga zonat pranë kufirit izraelit dhe që forcat paqeruajtëse të OKB-së të ofronin siguri përgjatë kufirit.
Kampi tjetër, ku bën pjesë kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, po shikon që të zgjerojë konfliktin në një “luftë të plotë rajonale”, ku do të përfshihej si Irani, ashtu edhe ShBA-ja, tha Etzion.
Izraeli është zotuar se do ta sulmojë Irani në shenjë hakmarrjeje për sulmin masiv me raketa që Teherani kreu më 1 tetor. Shumë druajnë se një sulm izraelit do të rezultojë në përshkallëzimin e sulmeve të ndërsjella, që do ta përfshinin në luftë mbarë rajonin.
Qëllimi kryesor i Netanyahut është “të mbajë kontrollin e tij në pushtet dhe të sigurohet që nuk do të rrëzohet nga pushteti”, tha Etzion. “Ai ka një interes të qartë politik, personal dhe kriminal në vazhdimësinë e luftës”.
Kritikët e Netanyahut e kanë fajësuar atë për lëshime në aspektin e sigurisë që rezultuan me sulmin e 7 tetorit të vitit të kaluar të kryer nga Hamasi, grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga ShBA-ja dhe BE-ja.
Netanyahu po ashtu përballet me akuza serioze për korrupsion dhe kritikët kanë thënë se kryeministri po tenton që ta shtyjë në pafundësi gjyqin ndaj tij. /Radio Evropa e Lirë/