Izraeli: Irani përdori raketa me shumë koka luftarake në sulm
Ushtria izraelite ka raportuar se Irani përdori një raketë me shumë koka luftarake në sulmin e saj, duke paraqitur një sfidë të re për mbrojtjen e Izraelit.
Raketat me shumë koka luftarake mund të paraqesin një sfidë më të vështirë për sistemet e mbrojtjes ajrore, siç është Kupola e Hekurt e Izraelit.
Duke folur me gazetarët në vendin e sulmit me raketa balistike të mëngjesit të sotëm në spitalin Soroka, ministri i Jashtëm Izraelit Gideon Sa’ar njoftoi se operacioni i Izraelit kundër Republikës Islamike do të vazhdojë “derisa misioni të përfundojë”.
“Ky është qartë një krim lufte,” tha Sa’ar, duke treguar vendin e sulmit me raketa pas tij, duke thënë se sulmi “pasqyron strategjinë e vazhdueshme të regjimit iranian”.
“Ata po synojnë qëllimisht popullsinë civile, objektivat civile, civilët, fëmijët, të moshuarit. Kjo është e papranueshme. Gjatë orëve të fundit, kam marrë telefonata të shumta nga ministrat e jashtëm anembanë botës që e dënojnë këtë sulm. Por ky është vetëm një shembull – iranianët e bëjnë këtë vazhdimisht”, tha ai.
“Ne do të vazhdojmë operacionin tonë në Iran. Ne kemi një plan shumë të detajuar, e dimë saktësisht se çfarë po bëjmë dhe do të vazhdojmë të sulmojmë objektivat bërthamore dhe infrastrukturën e raketave balistike. Nuk do të ndalemi asnjë minutë derisa misioni të përfundojë”, vuri në dukje ai.
