Ish-zëvendësministri i Arsimit për armët në shkolla: Situatë e njëjtë si në Ferizaj është gati kudo

Ish-zëvendësministri i Arsimit, Nehat Mustafa, ka komentuar konfiskimin e një arsenali armësh nga policia në disa shkolla në komunën e Ferizajt.

Ai tha se kjo dukuri që u shpërfaq nga ana e policisë në Ferizaj, është e njëjta pothuajse në të gjitha qytetet, teksa shtoi se më e keqja është që shoqëria po fillon të shqetësohet dhe t’i merr seriozisht këto çështje veç kur po arrijnë përmasa të mëdha.

“Këto janë dukuri për të cilat shoqëria jonë duhet të merret çdo ditë me to dhe jo vetëm të lejoj që të grumbullohen ato raste dhe përmes lajmeve të paraqitemi sikur shoqëria jonë po shqetësohet për këto dukuri”.

“Kjo që është publikuar sot për Ferizajn, jam i bindur se po të publikoheshin edhe nga policitë e rajoneve të tjera, pothuajse se statistikat do të ishin të njëjta, ndoshta edhe më të këqija se këto që janë paraqitur në Ferizaj. Të dhënat se në shkollat tona dhe përreth tyre përdoren narkotikët e armët nuk janë të reja si informacione”, është shprehur Mustafa në “Edicioni Special” në Klan Kosova.

Tutje, ai thotë kjo nuk është një betejë që duhet ta zhvillojnë vetëm policia e shkollat, por duhet e gjithë shoqëria të kyçet në këtë çështje, pasi sipas tij, vetëm atëherë mund të arrihet te fitorja ndaj kësaj dukurie të keqe.

Ai, gjithashtu bëri thirrje tek mediat që të mos u jepet hapësirë lajmeve se si një këngëtar luan rolin e gangsterit, pasi sipas tij, përçohet mesazhi sikur te tjerët duhet ta imitojnë atë.

“Prandaj po them se s’është problemi te rregulloret, por sa janë zbatuar ato rregullore. E keqe është që Ferizaj u bë temë, por kjo gjendje është pothuajse e njëjtë në secilën komunë”.

“Përgjegjësi kemi të gjithë, por edhe nga përgjegjësia s’mund të shmangen as mediat e portalet të cilat luajnë rol të madh në vetëdijesimin e shoqërisë”, është shprehur Mustafa, njofton Klankosova.tv.

Go to TOP