Ish-ministri Endrit Shala dënohet me dy vjet burgim për konflikt interesi
Gjykata Themelore në Prishtinë e dënoi me dy vjet burgim ish-ministrin e Industrisë, Endrit Shalën.
Trupi gjykues i kryesuar nga Violeta Namani tha se nuk ka gjetur prova për veprën penale keqpërdorim i detyrës zyrtare, por për konflikt interesi. Shala akuzohej se i ka bërë favor baxhanakut, duke i mundësuar përfitim të kundërligjshëm të mbi 700.000 eurove.
“Ka nënshkruar, përkatësisht miratuar vendimin për emërim 01.Ref.nr.36, datë 30.05.2019, me të cilin Operatori ekonomik (OE) me emrin tregtar: N.Sh. ‘Euro Inspekt’ dhe emrin e biznesit: Valdet S Teneqja B.I. me NUI: 810117194 dhe NUI inspektues: 001, është emëruar si trupë inspektuese për vlerësimin e konformitetit të karburanteve të lëngëta të naftës në Kosovë, e cila kompani është në pronësi të personit Valdet Teneqja, me të cilin i pandehuri ka lidhje krushqie, pasi të atë e ka baxhanak, me të cilin veprim i ka mundësuar atij dhe biznesit në pronësi të tij, realizim të interesit financiar, përkatësisht të dobisë pasurore si rrjedhojë e këtij vendimi të kundërligjshëm, në lartësi 732,642.283 euro”, thuhet në aktakuzë.
Dënimin e Shalës e kundërshtoi avokati i tij, Besnik Berisha. Ai tha se baxhanaku nuk përfshihet në rrethin e personave që konsiderohen anëtarë të familjes për qëllime të veprës penale të konfliktit të interesit.
“Neni 417, paragrafi 6 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës, ka përcaktuar në mënyrë të qartë, të plotë dhe shteruese rrethin e personave që konsiderohen anëtarë të familjes për qëllime të veprës penale të konfliktit të interesit. Në atë dispozitë nuk përfshihet baxhanaku, nuk përfshihet kunati, nuk përfshihen as personat në gjini krushqie. Ligjvënësi ka zgjedhur me vetëdije se kë do të përfshijë dhe kë do të përjashtojë nga kjo normë penale. Kjo zgjedhje mund të pëlqehet ose jo, mund të konsiderohet e ngushtë apo e gjerë, por ajo nuk mund të korrigjohet nga gjykata. Pikë”, shkroi avokati Berisha në Facebook.
