Ish-kandidati i VV-së për kryetar, Besart Tofaj, i bashkohet LDK-së në Junik

Kryetari i Komunës së Junikut, Ruzhdi Shehu, ka njoftuar aderimin e një figure të rëndësishme lokale në radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës – Dega në Junik. Bëhet fjalë për Besart Tofajn, Nënkryetar aktual i Komunës dhe ish-kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar në zgjedhjet e fundit lokale.

Gjatë katër viteve të bashkëqeverisjes në komunë, Tofaj ka bashkëpunuar ngushtë me kryetarin Shehu dhe, sipas këtij të fundit, ka dëshmuar integritet, përkushtim dhe profesionalizëm të lartë në funksionin e tij si Nënkryetar.

“Aderimi i tij në LDK është dëshmi e përputhjes së vlerave dhe vizionit të përbashkët për një Junik më të zhvilluar dhe më të drejtë,” deklaroi Shehu. Ai shtoi se Tofaj është një prurje e fuqishme për LDK-në dhe do të luajë një rol të rëndësishëm në ndërtimin e politikave zhvillimore në komunë.

Kryetari i Junikut u bëri thirrje edhe përfaqësuesve të tjerë nga subjekte të ndryshme politike që ndajnë të njëjtin vizion, që t’i bashkohen projektit të LDK-së në Junik, të cilën e cilësoi si “shpresa e vetme reale për një të ardhme më të mirë”. /Kosova.info/


Go to TOP