Ish-aktivistët e LVV-së takojnë Gani Gecin: premtojnë mbështetje për LDK-në
Gani Geci, aktivist i njohur i çështjes kombëtare, priti sot në Skënderaj dy ish-aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje, Arsim Gashi dhe Ismet Sinanaj. Të dy shprehën zhgënjimin e tyre të thellë ndaj, siç e quajtën, “gënjeshtrave dhe mashtrimeve” të LVV-së.
Gashi dhe Sinanaj, të cilët në zgjedhjet e vitit 2021 kishin ndihmuar LVV-në duke siguruar qindra vota dhe organizuar transport nga Gjermania për mbështetësit, tani deklaruan mbështetjen e tyre për Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) dhe kandidaturën e Marigona Gecit.
“I falënderoj nga zemra për përkushtimin e tyre të sinqertë për të ndihmuar LDK-në pa kurrfarë interesi personal, qoftë nga Gjermania, Zvicra apo këtu në Prizren,” deklaroi Geci.
Kjo lëvizje shihet si një sinjal i rëndësishëm për përpjekjet e LDK-së për të zgjeruar mbështetjen e saj brenda dhe jashtë Kosovës në prag të zgjedhjeve të ardhshme. /Kosova.info/
