Isa Mustafa komenton paraqitjen e Kurtit me fusnotë në Bruksel

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dje ka nxitur reagime të shumta pasi u paraqit në mbledhjen e Këshillit të Stabilizim-Asociimit mes Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kosovës, duke përfaqësuar Kosovën me fusnotë.

Ish-kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, njëherësh edhe ish-kryeministër i vendit, Isa Mustafa, ka deklaruar se edhe ai vetë nuk ishte pajtuar me fusnotën dhe për këtë shkak ishte cilësuar si antiamerikan dhe antievropian në atë kohë nga përfaqësues të caktuar diplomatik.

Por, ai ka thënë se si kryeministër i Kosovës i ka respektuar marrëveshjet e shtetit të tij, ashtu siç ka bërë edhe me fusnotën.

“Fusnotën e kam kundërshtuar edhe unë si Kryetar i LDK-së. Publikisht s’jam pajtuar me fusnotën. Kjo ka qenë shkas që përfaqësues të caktuar diplomatik në atë kohë të më cilësonin se unë dhe LDK kishim qëndrime antiamerikane dhe antievropiane. Por, si Kryeministër kam respektuar marrëveshjet e shtetit tim. Edhe fusnotën. Zoti Kurti ka kundërshtuar fusnotën dhe e ka shpallur akt të tradhtisë. Deklarata të tilla dhe etiketime nga ana e tij janë të shumta, tipike folklorike të destinuara për ‘analfabetët funksional’ nga programi i tij politik. Tani ai nuk ia sheh për të madhe vetes së tij që ulet me mbishkrimin e Kosovës me fusnotë para tij, por atyre që i kanë besuar se nuk do ta bëjë, që në fakt ka të drejtë”, ka deklaruar Mustafa.

Tutje, ai ka thënë se nëse dikush ka besuar se Kurti si kryeministër nuk do të respektojë fusnotën ashtu siç është definuar, atëherë ka jetuar në iluzione.

“Z. Kurti ka luftuar për pushtet jo për parime. Shihet qartë se zotit Kurti po i pëlqen më shumë pushteti sesa deklaratat dhe qëndrimet që i ka demonstruar si opozitar”, ka përfunduar Mustafa.

Kujtojmë se kryeministri Kurti ishte kritikuar edhe më parë për “thyerjen” e parimeve, pasi që gjatë fushatës zgjedhore dhe kohës sa ishte në opozitë kishte dhënë premtime për të cilat është kritikuar se nuk i ka mbajtur pasi erdhi në pushtet.

Para se të vinte në pushtet, Kurti kishte deklaruar se kur të bëhej kryeministër, dialogu me Serbinë nuk do të vazhdonte pa u kërkuar falje për krimet dhe gjenocidin në Kosovë dhe pa marrjen e përgjegjësisë nga shteti serb për dëmet e luftës dhe pa kthimin e të pagjeturve.

Megjithatë, dialogu Kosovë-Serbi ka vazhduar edhe pse me vështirësi pas kundërshtimeve që të dy palët kanë pasur në takimet e kaluara. Një takim i ardhshëm Kosovë-Serbi pritet të ndodhë gjatë këtij muaji, ose në fillim të vitit tjetër.

Go to TOP