IPK rekomandon suspendimin e dy zyrtarëve policorë në Rahovec për keqpërdorim të detyrës
Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka filluar veprime hetimore lidhur me një rast në Rahovec, ku dyshohet se janë përfshirë dy zyrtarë policorë. Pas hetimeve fillestare, IPK ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin nga detyra të të dy zyrtarëve të Stacionit Policor Rahovec, që bën pjesë në Drejtorinë Rajonale të Policisë në Gjakovë.
Sipas të dhënave preliminare dhe provave të siguruara deri më tani, ekziston dyshimi i arsyeshëm se të njëjtit kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”. Hetimet po zhvillohen nga Departamenti i Hetimeve në IPK, në bashkëpunim me Prokurorinë e Shtetit, me qëllim të sqarimit të plotë të rrethanave dhe veprimeve eventualisht të kundërligjshme.
Suspendimi i përkohshëm i zyrtarëve është ndërmarrë për të garantuar pavarësinë dhe paanshmërinë e hetimeve, si dhe për të shmangur ndikimin në procesin hetimor. /Kosova.info/
