Interesimi për regjistrim, i lartë edhe ditën e përmbylljes së procesit

Në ambientet e Kryeqytetit edhe sot, ditën e përmbylljes së procesit të Regjistrimit të Popullsisë, shumë qytetarë kanë ardhur për tu kryer këtë proces, si banorë rezidentë të Komunës së Prishtinës.

Kështu bënë të ditur, në një postim në faqen e tij zyrtare në Facebook, Kryeqyteti i Prishtinës.

“Me regjistrimin e popullsisë, ne do të kemi të dhëna të sakta mbi numrin e banorëve dhe përbërjen demografike, e cila do të ndihmojë Kryeqytetin të planifikojë më mirë ndërtimin e rrugëve, shkollave, qendrave të mjekësisë familjare dhe infrastrukturës tjetër të nevojshme. Të dhënat e regjistrimit përdoren për të ndarë fondet dhe burimet në mënyrë të drejtë dhe efikase, duke siguruar që zonat me nevoja më të mëdha të marrin mbështetjen e duhur financiare”, thuhet në njoftim.

Gjithashtu thuhet se informacioni demografik është i rëndësishëm për planifikimin dhe zbatimin e masave të sigurisë publike dhe menaxhimin e emergjencave, duke ndihmuar në përgatitjen për situata të ndryshme krizash.

“Regjistrimi ndihmon në identifikimin e grupeve të ndryshme sociale dhe ekonomike brenda popullsisë, duke mundësuar krijimin e politikave dhe programeve që adresojnë nevojat specifike të këtyre grupeve. Regjistrimi i popullsisë është një mjet thelbësor për menaxhimin efektiv dhe zhvillimin e qëndrueshëm të një kryeqyteti, duke siguruar që të gjitha vendimet dhe politikat të bazohen në të dhëna të sakta dhe të azhurnuara”, thuhet në këtë njoftim të në Facebook.

Interesimi për regjistrim, një ditë para përmbylljes së këtij procesi, shihet edhe në komuna të tjera, ka bërë të ditur Agjencia e Statistikave të Kosovës. /Kosova.info/

Go to TOP