Inter kampion i Italisë

Inter është zyrtarisht kampion i Italisë. Zikaltërit kanë siguruar titullin e 21-të në historinë e klubit, duke kurorëzuar një sezon rilindjeje të plotë pas zhgënjimeve të mëdha të një viti më parë.

Ky është një sukses historik në disa drejtime: i pari si trajner për Cristian Chivu, i pari si president për Giuseppe Marotta dhe i pari nën drejtimin e pronësisë amerikane. Në Milano shpërthen festa, me një triumf që ka një shije të veçantë pas një sezoni të kaluar ku objektivat u humbën në momentet e fundit.

Në ndeshjen vendimtare ndaj Parmës, emocionet ishin të përziera. Nga njëra anë atmosfera festive në stadium dhe pritshmëria për titullin, nga ana tjetër kujdesi për të mos e marrë asgjë si të mirëqenë. Interit i mjaftonte edhe një pikë për të vulosur matematikisht gjithçka.

Në fushë, zikaltërit treguan vendosmëri, me një nga protagonistët kryesorë Nicolo Barella, i cili ishte kudo dhe udhëhoqi ekipin me energji dhe shpirt gare. Goli i avantazhit erdhi nga Marcus Thuram, që realizoi për ndeshjen e pestë radhazi, duke afruar edhe më shumë festën.

Në pjesën e dytë, pavarësisht rezistencës së Parmës, Interi ruajti kontrollin dhe gjeti golin e qetësisë me Henrikh Mkhitaryan për 2-0, duke mbyllur përfundimisht llogaritë. Në atë moment, gjithçka u bë e qartë: titulli ishte në duart e zikaltërve.

Për Cristian Chivu ky është një sukses i jashtëzakonshëm, pasi arrin të fitojë titullin në sezonin e tij të parë të plotë si trajner, duke hyrë në histori edhe si një nga të rrallët që e kanë fituar kampionatin si lojtar dhe si trajner me të njëjtin klub.

Interi rikthehet kështu në fronin e futbollit italian, duke hapur një kapitull të ri suksesi dhe duke lënë pas çdo dyshim të fillimsezonit. Festa në Milano sapo ka nisur.

Rezultati:

Inter 2-0 Parma

Thuram 45+1′, Mkhitaryan 80′


Go to TOP