“Inteligjenca rrjedh nga libri”, moto e Panairit të 25-të Librit

Me moton “Inteligjenca rrjedh nga libri”, pritet të fillojë edicioni i 25-të i Panairit të Librit, organizuar nga Shoqata e Botuesve të Kosovës, i cili edhe këtë vit mbahet në ambientet e Pallatit të Rinisë dhe Sportit. Organizatorët e panairit bëjnë të ditur se këtë vit ka një rënie të vogël pjesëmarrëse të shtëpive botuese.

Nga 11 deri me 15 qershor, në Prishtinë do të mbahet Panairi i 25-të i librit “Prishtina 2025”, e ku pritet të marrin pjesë mbi 75 shtëpi botuese nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Diaspora. Organizatori i këtij panairi, Edon Zeneli, i tha Radio Kosovës së tema e këtij viti, e cila është “Inteligjenca rrjedh nga libri”, është e një rëndësie të veçantë për kohën në të cilën po jetojmë.

“Sivjet motoja e panairit “Prishtina 2025” është “Inteligjenca rrjedh nga libri”, një moto e cila sa është kontekstuale po ashtu edhe universale e përbotshme. Kjo për të rikthyer gjithmonë vëmendjen mbi nevojën që ka njeriu në jetën e vet për librin.  Dhe gjithashtu, për të rikonfirmuar se teknologjia dhe libri nuk janë kundër njëra tjetrës, por fatmirësisht teknologjia ka shërbyer pozitivisht.”

Tutje, Zeneli tha se në këtë edicion ka një rënie të vogël të shtëpive botuese, si pasojë e mungesës së hapësirës dhe se numri i titujve të rinj pritet të jetë rreth 2 mijë.

“ Plot pese ditë, Prishtina shndërrohet në një kryeqytet të librit shqip. Në këtë panair kemi një rënie të lehtë të botueseve, e kjo si pasojë e mungesës se hapësirave infrastrukturore. Në këtë edicion do të marrin pjese mbi 75 shtëpi botuese nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.”

Ceremonia e hapjes së Panairit të 25-të të Librit “Prishtina 2025” do të mbahet më 11 qershor në orën 12:00. Panairi do të jetë i hapur për vizitorë çdo ditë nga ora 9:00-21:00, ndërsa do të mbyllet më 15 qershor në orën 19:00. Ky panair përkon edhe me përvjetorë të rëndësishëm që do të shënohen me aktivitete, përkujtime e debate, po ashtu do të ketë edhe të ftuar specialë. Përvjetorët që shënohen në Panairin e 25-të të librit janë: 100 vjetori i lindjes së Martin Camajt, 150 vjetori i lindjes së Faik Konicës, 200 vjetori i lindjes së Pashko Vasës, 400 vjetori i lindjes së Pjetër Bogdanit.


Go to TOP