INPO denoncon shkelje serioze në tenderin 56 milionësh për stadiumet – kërkon transparencë dhe ndërhyrje urgjente

Iniciativa për Progres – INPO ka bërë publike një seri shkeljesh serioze procedurale në tenderin “Punë ndërtimore për zbatimin e projekteve për ndërtimin dhe rindërtimin e stadiumeve në Ferizaj, Pejë, Prizren dhe Vushtrri”, të shpallur nga Ministria e Kulturës, e Rinisë dhe e Sportit (MKRS) më 21 nëntor 2024, me një vlerë të parashikuar prej 56 milionë euro.

Sipas INPO-s, Ministria ka dështuar të publikojë procesverbalin e hapjes së ofertave, ndonëse afati për dorëzimin e tyre ka përfunduar më 8 janar 2025. Ky veprim bie ndesh me legjislacionin përkatës, i cili obligon publikimin e këtij dokumenti menjëherë pas hapjes së ofertave, për të garantuar transparencë dhe qasje të barabartë për të gjithë operatorët ekonomikë.

Për shkak të mungesës së informacionit dhe heshtjes institucionale, INPO ka paraqitur kërkesë për qasje në dokumentet përkatëse, të cilës MKRS nuk i është përgjigjur. Si rrjedhojë, organizata ka dorëzuar ankesë në Agjencinë për Informim dhe Privatësi për kufizim të pajustifikuar në qasje në dokumentacion publik.

INPO gjithashtu shpreh shqetësim për vonesat e pajustifikuara në vlerësimin e ofertave, duke theksuar se janë kaluar 125 ditë që nga mbyllja e afatit për dorëzim të ofertave, ndërkohë që afati maksimal i lejuar nga rregullorja për vlerësim është 50 ditë. Deri më sot, nuk është publikuar as vendimi i autoritetit kontraktues dhe as raporti për vlerësimin e ofertave.

Organizata paralajmëron se këto vonesa, përveçse cenojnë ligjshmërinë e procesit, rrisin dyshimet për ndikime të jashtme, favorizim të operatorëve të caktuar dhe manipulim të mundshëm të rezultatit të tenderit. Këto zhvillime, sipas INPO-s, dëmtojnë interesin publik, rrezikojnë integritetin institucional dhe i shkaktojnë humbje të mundshme financiare operatorëve ekonomikë.

INPO kërkon nga MKRS që: të publikojë menjëherë procesverbalin e hapjes së ofertave; të njoftojë mbi statusin aktual të vlerësimit të tenderëve; të japë shpjegime për vonesat e pakuptueshme dhe të marrë masa për rikthimin e besimit në proces dhe të respektojë detyrimet ligjore për transparencë dhe informim.

Po ashtu, INPO i bën thirrje Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik që të monitorojë këtë aktivitet dhe të ndërmarrë veprimet e nevojshme ligjore për të siguruar llogaridhënie dhe zbatim të rregullave të Prokurimit Publik. /Kosova.info/


Go to TOP