Imzot Pjetër BOGDANI, njeri i Zotit dhe Popullit (1625 – 1689)

(Profili shpirtëror dhe kulturor)

Shkruan: Dr. Don Lush GJERGJI

Imzot Pjetër Bogdani lindi në “Guri ndë Hasit” në vitin 1625 dhe vdiq në Prishtinë në vitin 1689. Ishte meshtar, ipeshkëv, veprimtar i dalluar, atdhetar i kulluar, luftëtar për liri, shkrimtar i shquar, raportues i vëmendshëm dhe i saktë nga viset e ndryshme shqiptare, me një fjalë Njeri i Zotit dhe Popullit shqiptar.

Vendlindja nuk dihet sot ku gjendet, në Breg të Drinit, në Gjonaj apo diku gjetiu, disa thonë ndoshta në Zymapo në Zhur. “Guri i Hasit” përmendet qysh në vitin 1330, sot Shëngjeçi, afër Mazrekut, apo Guri, afër Zymit të sotëm.

Nipi i tij Don Gjon Bogdani jep informata që Pjetrin e kishte rritur dhe edukuar  qysh në fëmijëri dhe në riniarqipeshkvi Andre Bogdani (1600-1683), ungji apo axha i tij, së pari në kolegjin françeskan të Cipovecit(Bullgari), pastaj në Kolegjin ”Illiricum” në Loreto, afro 9 vite, ku edhe ishte shuguruar meshtar në vitin 1649. Më vonë ka vazhduar studimet në “Propaganda Fide”, ku kishte doktoruar filozofinë dhe teologjinë(1655). Pas shugurimit meshtarak ka shërbye në ipeshkvinë e Pultit, diku gjatë viteve 1651 – 1656. 

Në vitin 1656 emërohet arqipeshkëv i Shkodrës, me shërbim 20 vjeçar, pastaj në Tivar në vitin 1677, afro 10 vite , së fundi arqipeshkëv i Shkupi në vitin 1677, për 12 vite, si dhe administrator apostolik i Serbisë dhe Bullgarisë, gati i gjithë Ballkanit.

Jeta dhe vepra madhore e Imzot Pjetër Bogdanit nuk mund të kuptohet, edhe më pak të interpretohet, padimensionin e thellë të fesë apo besimit në dy drejtime: me Zotin, Krijuesin dhe Shëlbuesin e botës, si dhe me Popullin ilir, arbëror dhe shqiptar, ideale këto që ishin gjithnjë frymëzim i pashtershëm për jetën dhe veprimtarinë e tij në rrethana tejet të vështira, gati të pamundshme.

Feja dhe jeta me Zotin dëshmohet bindshëm edhe me edukimin e tij familjar, thirrja e tij për jetën dhe shërbimin meshtarak, më vonë ipeshkvor, me zellin e tij të jashtëzakonshëm baritor për grigjën e besuar, me përgatitjen e shkëlqyeshme filozofike, teologjike, shpirtërore dhe kulturore të nivelit më të lartë të asaj kohe.

Për shërbimin e tij baritor imzot Pjetër Bogdani pati këto synime:

• Ruajtjen dhe mbrojtjen e popullit shqiptar nga ndikimet dhe sundimet e huaja;

• Zhvillimin fetar, shpirtëror dhe kulturor të popullit shqiptar;

• Çlirimin e tij nga robëria e dyfishtë: injoranca, terri, primitivizmi, nëpërmjet zgjimit fetar dhe kombëtar, si parakusht për vetëdijesim dhe çlirim nga sundimi shekullor turko-otoman;

• Kjo mund të bëhet vetëm me fuqinë e fesë, ngritjen e kulturës, por edhe me luftë të armatosur, vëllazërisht dhe së bashku me aleatët dhe miqtë, sidomos Austro-Hungaria dhe gjenerali Piccolomini.

Mu për këtë Imzot Pjetër Bogdani jetoi me Zotin dhe për Zotin, si njeri i kushtuar, meshtar dhe arqipeshkëv, me Popullin dhe për Popullin, me identifikimin e tij shembullor dhe ungjillor: Fati i Popullit tim është fati im.

Shpresa e tij ishte e mbështetur në fe, në Zotin, dhe në Popullin. Ai ia besonte shpresës këtë mision: çlirimin nga herezitë dhe apostazitë, si dhe sigurinë se binomi fe dhe atdhe, që për të konkretizohen në Zoti dhe Populli, ishte lidhje e pathyeshme, si vetëdije historike, skenderbegiane, por edhe aktuale, kthimin në krishterim dhe në kulturën dhe qytetërimin evropian,ku ishim me shekuj, që nga zanafilla e krishterimit, për të tashmen dhe të ardhmen tonë sa më të mirë.

Feja dhe shpreso do të ishin të mangëta, deri diku edhe abstrakte, pa zbatimin e dashurisë. Imzot PjetërBogdani ishte qenësisht, thellësisht dhe tërësisht i njësuar, bashkuar dhe dashuruar në Zotin dhe në Popullin tonë. Kjo dashuri, me krahët e fesë dhe shpresës, e bënte atë njeri të Zotit dhe të Popullit, veprimtar të shquar dhe te dalluar të kulturës, përpilues të kryeveprës “Çeta e Profetëve”, të shumë letrave, shkrimeve, relacioneve, shënimeve, dërguar Selisë Shenjte, gati nga të gjitha viset dhe trojet tona, diku 128 relacione dhe 308 letër-shkrime.

Pa jetën dhe veprën e frytshme dhe të gjithanshme të arqipeshkvit Pjetër Bogdani, shekulli XVII  për ne do të ishte i errët, pasi që raportet apo relacionet janë kryesisht turko-otomane apo greko sllave, dhe si të tilla shpesh të njëanshme dhe të magëta me informata të rëndësishme  për njohjen e kontekstit fetar, kombëtar, kulturor dhe shoqëror të asaj kohe.

Dashuria e shtynte atë në veprim si meshtar, famullitar, më vonë si arqipeshkëv dhe delegat apostolik në vende të ndryshme Tivar, Shkodër, Shkup, Bullgari dhe Serbi, gjithnjë në kërkim të besimtarëve të krishterë, në lëvizje dhe në veprim, si një lloj “lypësi i Zotit” dhe “endacaku i Popullit”.

Për mua Imzot Pjetër Bogdani ishte dhe mbetet Gjergj Kastrioti – Skënderbeu i dytë, njeri i cili në mënyrën më të mirë të mundshme e kishte kuptuar dhe interpretuar historinë tonë, kishte krijuar një “hallkë” për t’u lidhur me të kaluarën tonë të lavdishme, por pa harruar kurrë edhe lidhjen me të tashmen dhe projektimin e së ardhmes tonë fetare dhe kombëtare.

Kjo e bënte atë filozof, teolog, biblicist, katekist, gjuhëtar, atdhedashës, veprimtar, vizionar të rrallë. Arqipeshkvi Pjetër Bogdani e shkriu jetën, punën, dijen, zemrën për Zotin dhe për Popullin, si paraardhës i largët i iluminizmit dhe rilindësve, duke u munduar që të na bënte të ngjashëm dhe të barabartë me popujt tjerë evropian.

Pa imzot Pjetër Bogdanin do të rrezikonim shkrirjen e dyfishtë, fetare dhe kombëtare, dhe si të tillë do të ishim pa ndonjë identitet dhe personalitet, një popull masë, grumbull, turm dhe asgjë tjetër.

Në çdo shkrim, letër, relacion, vazhdimisht flitet për Zotin tonë Jezu Krishtin, për Virgjërën Mari, për Kishën Katolike, për Popullin Shqiptar, për shëlbimin apo shpëtimin tonë. Këto tema janë boshti i jetës dhe shkrimeve, veprimtarive të tija pothuaj në vazhdimësi.

Mendja e tij ndriçohej, ndërsa zemra e tij frymëzohej, për shërbim dhe flijim për Zotin dhe për Popullin.

Ai si rrallë kush e  ka gjetur lidhjen dhe përplotësimin e hyjnores, njerëzores dhe kombëtares, dhe atë në rrethana kur çdo gjë ishte e rrezikuar.

Bashkëpunimi me kardinalin Gregorio Barbarigo (1625 -1697),  me të cilin ishte njohur dhe i kishte shërbye në Romë, ishte frytdhënës. Ai ishte përgjegjës i Kishës katolike për çështje lindore, dhe si i tillë kishte hapur një shtypshkronjë të veçantë në Padovë, “Tipografia del Seminario”, për botime në gjuhën hebraishte, aramaishte dhe arbërishte. Gregorio Barbarigon ishte mik dhe përkrahës i Pjetër Bogdanit, me këtë edhe i Kishës dhe Popullit tonë, si dhe njeri me erudicion dhe mirësi të madhe, bamirësi, përshpirtëri dhe shenjtëri të dalluar. Mu për këto veçori dhe karakteristika, Papa Shën Gjoni XXIII e ka shpallur shenjt në vitin 1958.

Prej vitit 1686 e tutje arqipeshkvi Pjetër Bogdanimerrej intenzivisht me idenë e kryengritjes së armatosur kundër sundimit osman, në bashkëpunim me gjeneralin Giovanni Norberto Piccolomini (1650-1689), me kontributin e pjesëmarrësve tanë. Në këtë lëmi pati sukses në çlirimin e Prishtinës, por në Prizren mori sëmundjen e mortajës, nga e cila edhe vdiq më 6 dhjetor 1689, ndërsa para disa kohe kishte vdekur edhe gjenerali Piccolomini. Imzot Pjetër Bogdani nuk e kishte lënë të vetmuar Gjeneralin në sëmundje, por e kishte shoqëruar në Prizren, ia kishte ndarë sakramentet, para vdekjes, në shenjë besnikërie dhe bashkëpunimi. Me vdekjen e këtyre dy kolosëve,Piccolomit dhe Bogdanit, vdiq edhe ideja dhe organizimi i kryengritjes së armatosur.

Motivet e shkrimit dhe botimit të Çetës së profetëve

1. Atdheu dhe Populli po digjej në robëri të errësirës, i verbuar me dy mjegulla të zeza mbi faqe, që janë mëkati dhe mosdija, si pasojë e kësaj edhe robëria.“Pjetër Bogdani shpreh shqetësimin e përhershëm: lufta me “errësirën e paditurisë” si rrezik më i madh për shpirtërat”.

2. Motivi i dytë nuk ishte lavdia e tij, “por për dobi të shntës fe”.

3. Për të dhënë një kontribut të madh historik, gjuhësor, patriotik, për vlera të krishtera dhe evropiane, të vërtetat themelore të fesë së krishterë. Vetëdija e tij e lartë fetare, e krishterë, dhe kombëtare, arbërore – shqiptare, e frymëzonin atë për jetë dhe veprim të angazhuar në shumë lëmi. 

Arqipeshkvi Pjetër Bogdani ishte klerik, atdhetar, gjuhëtar, dijetar, filozof, teolog, prozator, poet, luftëtar për liri në të gjitha trojet shqiptare për afro 40 vite.  Mbi të gjitha bari i kujdesshëm për grigjën e besuar, për t’ia mësuar “doktrinën e krishterë”, për t’i mbrojtur nga ortodoksizmi dhe islamizmi. Ai si njeri i “vijës së parë”, pati shumë armiq dhe kundërshtarë, mbi të gjitha osmanët dhe Patrikanën serbo – ortodokse të Pejës. Ishte një vizionar i jashtëzakonshëm pan – ballkanik  për liri, me qëndresë dhe luftë me fuqinë e fesë dhe përkrahjen e atdhedashurisë, që konkretisht domethënë me kulturë dhe qytetërim, tematikë që edhe sot është aktuale, për kërkimin dhe në gjetjen e ndonjë zgjedhjeje fatlume dhe përfundimtare për Ballkanin e trazuar.

Vuajtjen e popullit Shqiptar e krahasonte me vuajtjen e vetë Jezu Krishtit dhe të Virgjërës Mari, duke paraparë fitoren, ngjalljen. Ishte thellë i vetëdijshëm për rrënjët dhe prejardhjen ilire dhe arbërore, duke u kujdesur për pastërtinë shpirtërore dhe gjuhësore, apo pastërtinë e zemrës dhe të shpirtit të Shën Marisë Virgjër, që i krahasonte me pamjet e bukura gjeografike dhe historike të trojeve tona.

Ishte një lloj “shtegtari” apo njeriu në ikje dhe në lëvizje, si detyra e bariut për grigjën e besuar, për t’i njohur, parë dhe përkrahur personalisht, por edhe nga përndjekjet e ndryshme turko – otomane.

Në një bisedë me Dr. Ibrahim Rugovën, Presidentin e parë të Kosovës, studiuesin e njohur të PjetërBogdanite, e pyeta kështu: Për kë e ka shkruar ai librin Çeta e Profetëve, në një kohë të errët për Popullin tonë, kur nuk kishte shkolla, institucione,  populli pothuaj ishte analfabet? Ai më dha këtë përgjigje: edhe atëherë ishte një lloj elite, aristokracie, pra, njerëz të ngritur. Pastaj Bogdani ka dashur ta ngrite nivelin shpirtëror, kulturor dhe gjuhësor të popullit tonë. Mu për këtë ai e ka shkruar dhe botuar këtë libër.

Porosia e jetës dhe veprës së tij

1. Imzot Pjetër Bogdani doli si pishtar i madh në një periudhë të errët dhe shumë të rrezikshme për shuarjen e vetëdijes kombëtare, me këtë edhe të gjuhës, traditës, kulturës, fesë së krishterë, qytetërimit tonë evropian.

2. Fjalës së shkruar, librit, botimi, dijes,  ia beson detyrën për ta luftuar errësirën, mëkatin, të keqen, robërinë, që të jenë “çeta” që do të luftojnë deri te arritja e lirisë së vërtetë nga e keqja, sundimi i huaj, tjetërsimi, harresa, shkrirja në popull anonim, pa identitet dhe personalitet.

3. Përshkrimet e gjendjes së mjerë ndoshta më së miri mund t’i përmbledhin këto fjalë: “gjithkund vdekje, gjithkund vajë, gjithkund shkretim, gjithkund përndjekje, gjithkund hidhërim…kishat e mbyllura, meshtarët e shpërndarë, populli në ikje… Jam i rrethuar në të gjitha anët dhe është një mrekulli që jam gjallë (1687).

Atëherë Imzot Pjetër Bogdani ishte i vetmi arqipeshkëvkatolik në Ballkan, shkruante ai, dhe tinëzisht kishte hyrë në Prishtinë të Enjten e Madhe, për shugurimin e vajrave të shenjtë, por nuk e di kush dhe si do t’i shpërndajë dhe përdoroi.

4.Për t’iu ikur kontrollimeve dhe identifikimeve turke, ai vishej si “lypës”, “tevdil” apo si katundar, kremtonte meshën dhe ndante sakramentet në shtëpia private,ishte vazhdimisht aty ku mundej dhe ku kërkohej. Figura e tij në popull ka mbetur si legjendë, me shumë emërtime të shpellave dhe vendstrehimeve të “Bogdanit”, ku ai fshihej dhe punonte, lutej, ndante sakramentet, gjatë natës, ndërsa gjatë ditës, pushonte dhe planifikonte hapat dhe vizitat baritore.

Flitet në popull që natën i vizitonte të krishterët, ndërsa ditën tërhiqej në male dhe vende të pabanuara, duke u ngritur  në lisa, lidhej për të pushuar dhe për t’u mbrojtur prej bishave të egra. Disa njerëz, duke mos e njohur jetën dhe veprën e tij, ato shpella apo strehime i kanë identifikuar si serbe apo sllave.

5. “Dija dhe edukimi kishtar” ishin mjete për ta luftuar sundimin turko otoman dhe robërinë nga errësira e mosdijes, si dhe skizmën. Këtë ai i shprehte me identitetin e dyfishtë: clericus et libertas, klerik dhe liri.Mu për këtë Imzot Pjetër Bogdani “Çetën e Profetëve” dhe kardinalin Barbarigo e konsideronte si “një krua i gjallë ku mendja dhe shpirti do të gjejnë kënaqësi dhe shqetësim intelektual , ku shumëkush mund të marrë ujë, e s’ do të shterret lehtë..”; Varkë e Noes, strehim i sigurt për çdo njeri të pikëlluar, në të cilin unë vet, i trazuar nga uji i furishëm i persekutimeve otomane, gjeta hyrje të sigurt”, apo “ky libër do të jetë një kontribut në arsimimin e njerëzve nga i cili shenjat e shtypit, sikur rrezet e dritës, do t’u përhapin njohuritë e fshehtësive të fesë tonë të shenjt”, 6 gjithsesi ogurmirë për Fe dhe Komb.

7. Imzot Pjetër Bogdani ishte besimtar dhe atdhetar i kulluar dhe shumë i dalluar, gjithnjë i frymëzuar dhe në veprim. Ideja e tij për bashkëpunim dhe solidaritet mes popujve, sidomos në luftë kundër robërisë dhe në kërkim të lirisë dhe pavarësisë, kishte nevojë për një organizim panballkanik, si parakusht për të arritur deri te 

Motoja e Çetës së profetëve “Salva nos Domineperimus – Na shpëto, o Zot, u zhdukëm, (krh.. Mt 8, 23 – 27; Mk 4, 35-41; Lk 8, 22-25), mbetet klithje feje dhe shprese, dëshmi dashurie, gjithnjë në emër të Kishës dhe Popullit, drejtuar Zotit, pra, si e tillë aktuale për të gjithë ne.

Stubëll, 21. 09. 2019                                                              Don Lush GJERGJI

6 Pjetër Bogdani, Çeta e Profetëve, I, Rilindja, Redaksia e Botimeve, Prishtinë. 1989. F. 55¸67¸69.

Instituti për Trashëgimi Shpirtërore dhe Kulturore në Shkup,                                                                    5 dhjetor 2022

Go to TOP