IKShPK: Uji i Badocit në zonën PR03 i sigurt për pije, nivelet e manganit brenda normave

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka njoftuar se nga monitorimet e fundit të cilësisë së ujit të pijshëm në zonën e furnizimit PR03 nga Ujësjellësi i Badocit është vërejtur një ulje e dukshme e vlerave të manganit.

Sipas analizave laboratorike të kryera gjatë tri ditëve të fundit në Laboratorin e parametrave bazik dhe Laboratorin analitik – ICPMS, vlerat më të larta të përqendrimit të manganit në këtë zonë kanë variuar nga 0.012 mg/l deri në 0.037 mg/l. Këto rezultate janë brenda kritereve të përcaktuara me Udhëzimin Administrativ nr. 10/2021 “Cilësia e ujit të destinuar për konsum nga njeriu”.

Bazuar në këto të dhëna, IKShPK thekson se uji i furnizimit PR03 nga Liqeni i Badocit është i sigurt për pije.

Instituti ka garantuar se, në bashkëpunim me institucionet përkatëse, do të vazhdojë monitorimin e rregullt dhe transparent të cilësisë së ujit, duke siguruar informim të saktë dhe të vazhdueshëm për qytetarët. /Kosova.info/


Go to TOP