IKD: Vlerësimi i anëtarëve të KGJK-së dhe KPK-së s’mund të bëhet nga Komisioni për Vlerësimin e Performancës

Vlerësimi i performancës së anëtarëve të Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit Prokurorial të Kosovës nuk mund të bëhet nga Komisioni për Vlerësimin e Përformancës. Kështu tha në konferencën e organizuar nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD).

Drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj, ka thënë se Ministria e Drejtësisë fatkeqësisht nuk po vepron në mënyrë ligjore për t’i përmbushur kërkesat për një proces transparent.

“Fatkeqësisht në vitet e fundit kemi parë që Ministria e Drejtësisë nuk ka vlerësuar as nuk i ka përmbushur kërkesat që të kemi një proces transparent. Po flasim për politikat e drejtësisë, këto politika që kanë për bazë drejtësinë në përfshirje të Këshillit Gjyqësor dhe ai Prokurorial. Kjo e ulë besimin e publikut”, u shpreh Miftaraj.

Hulumtuesi i IKD-së Melos Kolshi, ka thënë se anëtarët e Këshillave, të cilët janë të mandatuar që ta bëjnë vlerësimin e performancës së gjyqtarëve dhe prokurorëve nuk mund të jenë subjekt i vlerësimit të performancës në kapacitetin e tyre si anëtarë të Këshillave.

Kolshi tha se një nga risitë e reformës në drejtësi sa i përket Projektligjit për Plotësimin dhe Ndryshimin e Ligjeve të KGJK-së dhe KPK-së, është edhe vlerësimi i performancës së anëtarëve të Këshillave. Sipas Projektligjit për KGJK-në dhe atij për KPK-në është paraparë që vlerësimi i performancës së anëtarëve të Këshillave të bëhet nga Komisioni për Vlerësimin e Performancës, i cili do të përbëhet nga gjyqtarë nga radhët e Gjykatës Supreme dhe Apelit, përkatësisht prokurorë të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit dhe prokurorë nga Prokuroria e Apelit tek KPK-ja.

Sipas Kolshit, Komisioni i Venecias theksoi se anëtarët e Këshillit Gjyqësor mund të shkarkohen vetëm në bazë të një shkelje të rëndë disiplinore dhe se përgjegjësia që bartë një anëtarë i Këshillit është vetëm disiplinore dhe jo përgjegjësi që rrjedh nga vlerësimi i performancës

“IKD vlerëson se anëtarët e Këshillave, të cilët janë të mandatuar që ta bëjnë vlerësimin e performancës së gjyqtarëve dhe prokurorëve nuk mund të jenë subjekt i vlerësimit të performancës në kapacitetin e tyre si anëtarë të Këshillave, kjo pasi që Komisioni i Venecias theksoi se anëtarët e një Këshilli Gjyqësor, mund të shkarkohen nga detyra vetëm në bazë të një sjellje serioze të pahijshme (shkelje të rëndë disiplinore), e cila duhet të provohet në një procedurë e cila garanton të drejtën për gjykim të drejtë. Kështu, përgjegjësia e vetme që mund të bartë një anëtar i Këshillit është përgjegjësia disiplinore dhe jo edhe përgjegjësia e cila derivon nga një vlerësim i performancës”, theksoi Kolshi.

Ai gjithashtu potencoi se Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) rekomandon fshirjen e dispozitave që mundësojnë vlerësimin e performancës së anëtarëve të KGjK-së dhe KPK-së.

Go to TOP