Auditori gjen parregullsi në një tender të kompanisë publike KOSTT

Zyra Kombëtare e Auditimit ka evidentuar disa parregullsi në Ndërmarrjen Publike të Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut – KOSTT, veçanërisht ka gjetur dobësi në vlerësimin e tenderëve.

Sipas Auditorit me datën 30.10.2022, ndërmarrja kishte publikuar dosjen e tenderit për projektin “Furnizim me pajisje mbrojtëse për nënstacione”. Në këtë procedurë kishin dorëzuar ofertë dy operator ekonomik. ZKA bën të ditur se fillimisht ndërmarrja kishe eliminuar Operatorin Ekonomik (OE) me çmimin më të lirë për shkak të mos përmbushjes së specifikave teknike dhe kishte shpallur fitues OE ekonomik të dytë me çmimin më të lirë. Sipas raportit, pas ankesës nga OE i eliminuar, ndërmarrja kishte kthyer procesin në rivlerësim ku pas këtij procesi ishte aprovuar ankesa OE të eliminuar. Ndërsa OE i cili fillimisht ishte shpallur fitues, pas rivlerësimit ishte shpallur i papërgjegjshëm për shkak të mos përmbushjes së një specifike teknike që nuk ishte pjesë e ankesës.

“Kontrata ishte nënshkruar me datë 01.01.2023 me operatorin që kishte parashtruar ankesë në vlerë 23,936 euro. Pas analizimit të dokumenteve të regjistrimit të biznesit dhe verifikimit të tyre në Agjencinë e Regjistrimit të Biznesit të Kosovës, të dy operatorët që kishin ofertuar në këtë proces tenderues kishin të njëjtin pronar të biznesit. Si rrjedhojë, ndërmarrja në këtë rast do të duhej të bëjë anulimin e procedurës së tenderit në harmoni me kërkesat ligjore”, thuhet në raportin në Raportin e Auditimit për Pasqayrat Financiare Vjetore për KOSTT.

Më tej thuhet se nënshkrimi i kontratës në këtë rast, kishte ndodhur për shkak të mos verifikimeve të duhura nga personat përgjegjës të prokurimit të kërkesave të përshtatshmërisë profesionale.

Për këtë çështje, ZKA rekomandon Bordin e Drejtorëve: “Duhet të siguroj që gjatë procesit të vlerësimit të ofertave dhe procesit të nënshkrimit të kontratave departamenti i prokurimit kujdeset që janë zbatuar parimet e konkurrencës së mirëfilltë dhe se me kontratë shpërblehet vetëm operatoret e përgjegjshëm”.

Auditori në KOSTT ka vërejtur edhe tejkalim të vlerës totale të kategorisë te kontrata publike kornizë “Servisim dhe mirëmbajtja e Kamionëve me Krana”. Sipas ZKA-së çmimi për njësi i peshuar sipas kategorisë e nënshkruar me datën 25.11.2020 në kohëzgjatje prej 36 muaj, është vërejtur që për shërbimet e kryera ishte tejkaluar vlera totale e kategorisë e cila është përcaktuar në bazë të rëndësisë së shërbimit në kategori.

“Vlera e tejkaluar për kategorinë dy është 23,000 euro dhe kategorinë katër është 10,000 euro. Kjo kishte ndodhur për shkak të poentimit jo të duhur të kategorive përkatëse si dhe nga kujdesi jo i duhur në respektimin dhe interpretimin e kërkesave ligjore”, thuhet në raport.

Për këtë, Auditori rekomandon Bordin e Drejtorëve të siguroj që janë forcuar kontrollet në mënyrë që pagesat për shërbimet e kryera nuk tejkalojnë vlerën totale të kategorisë e cila është përcaktuar në bazë të rëndësisë së shërbimit në kategori.

Raporti i Auditorit për KOSTT-in ka rezultuar me 10 rekomandime, prej tyre tetë rekomandime të reja dhe dy rekomandime të përsëritura.

Go to TOP