IKD gjen se mbi 5 mijë raste të pagave jubilare janë zgjidhur nga gjykatat në tri vitet e fundit
Studenti i Klinikës Ligjore të Institutit të Kosovës për Drejtësi(IKD), Arton Salihi, gjatë prezantimit të raportit të IKD-së “Kostoja e pagave jubilare të papaguara”, tha se në bazë të të dhënave të siguruara nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), 5 mijë e 666 nga 15 mijë e 719 rastet e pagave jubilare, kanë përfunduar në tri vitet e fundit.
“Kjo nënkupton se mbi 35% e këtyre rasteve janë trajtuar dhe zgjidhur nga gjykatat nëpër Kosovë”, tha Salihi.
Raporti i publikuar nga IKD të enjten, është raport analitik lidhur me ndikimin financiar dhe gjyqësor të rasteve gjyqësore që përfshijnë pagat jubilare.
Studenti Salihi theksoi se 8 mijë e 76 raste vetëm janë regjistruar, pa ndonjë veprim të ndërmarrë nga gjykatat lidhur me këto raste. Si rezultat i kësaj, ai tha se më shumë se 51% të rasteve të pranuara në tre vitet e fundit nuk janë marrë në shqyrtim nga gjykatësit apo nuk ka pasur ndonjë progres drejt zgjidhjes së tyre.
Në anën tjetër, Aulona Kameri, studente nga Klinika Ligjore e IKD-së, tha se për qëllime të raportit, IKD në mënyrë rastësore ka analizuar 30 vendime gjyqësore në rastet e pagave jubilare, të lëshuara gjatë viteve 2021-2023.
Ajo tha se kjo analizë tregon se mesatarisht gjykatës i janë duhur 690 ditë apo gati dy vite për të vendosur lidhur me padinë nga koha kur është dorëzuar padia deri në kohën kur është marrë vendimi në shkallë të parë.
Nga kjo analizë, Kameri tha se IKD ka gjetur se paditë janë miratuar plotësisht në 21 raste, në katër raste ishin aprovuar pjesërisht dhe në pesë raste paditë ishin refuzuar.
“Nëse rastet e pagave jubilare kanë pasur çfarëdo lloji të ekspertizës, analiza e IKD-së dëshmon se nga 30 rastet e analizuara vetëm në një rast gjykata ka proceduar me ekspertizën financiare. Në 29 rastet tjera nuk ka përfshirë asnjë lloj të ekspertizave”, u shpreh ajo.
Për më tepër, tha se IKD ka gjetur se në 30 rastet e analizuara, paditësit ishin të përfaqësuar nga avokati mbrojtës të cilët ishin caktuar nga vetë paditësi privatisht.
Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) me përkrahje të Projektit të USAID-it për Drejtësi, të enjten publikoi raportin: “Kostoja e pagave jubilare të papaguara”, raport ky analitik lidhur me ndikimin financiar dhe gjyqësor të rasteve gjyqësore që përfshijnë pagat jubilare.
