Ia vodhën veturën 400 mijë dollarëshe në New York, pronari i saj aktivizoi sistemin e gjurmimit – madje edhe atë fikjes së motorit
Një grup hajnash thyen xhamat e dyerve të një shtëpie në Staten Island të New Yorkut, ku më pas morën çelësat e veturës luksoze 400 mijë dollarëshe Rolly-Royce kabriolet, duke u larguar me të nga vendi i ngjarjes.
Por ata nuk shkuan edhe aq larg, pasi pronari i veturës ua prishi planin. U kyç menjëherë në kompjuter për ta ndezur sistemin e gjurmimit të veturës për t’i lokalizuar.
Pronari i veturës i identifikuar vetëm si John, ishte alarmuar nga sistemi i alarmit, kur hajnat u futën brenda. Megjithatë u tregua i matur duke mos reaguar menjëherë nga frika se mund të rrezikohen familjarët.
Pasi u larguan hajnat, u kyç për ta ndezur sistemin e gjurmimit, më pas edhe atë të fikjes së motorit të veturës luksoze Rolls-Royce Dawn.
Pavarësisht përpjekjeve të shumta të hajnave për ta ndezur sërish – nuk ia arritën qëllimit. Aty intervenoi policia që shkoi te vetura dhe ia ktheu menjëherë pronarit.