Investime në arsimin e Prishtinës: Pajisen klasat e ShFMU “Afrim Gashi” me tabela digjitale dhe inventar të ri
Drejtori i Arsimit në Komunën e Prishtinës, Samir Shahini, ka njoftuar për investimet e reja në përmirësimin e kushteve në shkollat e kryeqytetit duke veçuar Shkollën Fillore “Afrim Gashi” si një nga përfitueset e fundit.
Sipas tij, në këtë institucion arsimor janë vendosur tabela digjitale dhe inventar i ri në çdo klasë, me synim rritjen e cilësisë së mësimdhënies dhe krijimin e një ambienti më dinjitoz për nxënësit.
Shahini theksoi se këto investime janë pjesë e një angazhimi të vazhdueshëm të Drejtorisë së Arsimit për të përmirësuar përditshmërinë në shkollat e Prishtinës duke siguruar kushte më të mira në çdo lagje të kryeqytetit.
“Nga një shkollë në tjetrën, angazhimi është i njëjtë: më shumë cilësi dhe më shumë dinjitet për nxënësit tanë,” ka deklaruar ai.
Drejtoria e Arsimit ka bërë të ditur se projekte të ngjashme do të vazhdojnë edhe në shkolla të tjera, në kuadër të modernizimit të sistemit arsimor në Prishtina. /Kosova.info/
