I dhanë numrin 10 të Milanit, Leao e quan privilegj, në planet e klubit edhe Morata

Milani nuk ia doli të fitojë titull këtë sezon, por mbetet klub i madh. Kuqezinjtë italianë janë hedhur në treg për të bërë blerje cilësore, por vijojnë punën edhe me rinovimet me lojtarët kryesorë e të rëndësishëm të klubit. Ndërkohë, Rafael Leao ndihet i lumtur që iu dha bluza me nr. 10 e Milanit. Portugezi shkëlqeu në sezonet e fundit me kuqezinjtë me të cilët e vazhdoi kontratën, duke iu dhënë fund spekulimeve për një largim të mundshëm edhe pse kishte oferta nga klubet e mëdha evropiane. E pasi iu besua ky numër, të cilin në të kaluarën e kanë mbajtur legjendat e klubit Kuqezi, futbollisti i krahut të majtë thotë se do të mundohet ta nderojë atë me paraqitje të mira. “Është një numër i rëndësishëm, një numër që të jep përgjegjësi. Pas 4 vjetësh në klub, të mund ta përdorësh një numër aq të rëndësishëm… Dua ta jap maksimumin edhe si një formë falënderimi për klubin tim, pasi më jep përgjegjësi ta mbaj atë dhe që të kem përgjegjësi për ta ndihmuar skuadrën time”, deklaroi Leao në një video të publikuar në kanalin e tij në “YouTube”. “Bashkëlojtari i preferuar tek Milani? Jam mirë me të gjithë, me Benacer, Aleksis (Saelemaekers), Bakajoko, Maignan, Adli, Ballo-Toure”, përfundoi përfaqësuesi portugez. Leao e udhëhoqi Milanin drejt fitimit të “Scudetto”-s në sezonin e kaluar dhe drejt gjysmëfinales së Champions këtë edicion. Ndërkohë, Milani nuk po ndalet as në merkato, duke tentuar të afrojë emra të njohur të futbollit europian. Kështu, referuar asaj që shkruajnë mediumet italiane, Milani raportohet se është ende duke punuar për transferimin e Alvaro Moratës. “Relevo” ka raportuar se klubi italian po vazhdon të jetë në kontakt të vazhdueshëm me agjentin e sulmuesit spanjoll, Juanma Lopez, teksa po punon për të gjetur një marrëveshje për transferimin e tij nga Atletiko Madridi. Morata është shfaqur si një nga objektivat kryesore të Milanit dhe një lëvizje mund t’i përshtatet të gjitha palëve, pasi edhe klubi spanjoll besohet se është i hapur për shitjen e lojtarit. Në anën tjetër, edhe 30-vjeçari thuhet se po kërkon që të rikthehet në Itali. Megjithatë, “Rossonerët” po përballen me dy pengesa kryesore. E para është çmimi i tij, me Atletikon që kërkon rreth 20 milionë euro, dhe e dyta është paga e tij. Morata nënshkroi një kontratë të re me Atletikon kohët e fundit që uli pagën e tij në 5 milionë euro në sezon, por sezonin e ardhshëm atij iu premtua të fitonte të njëjtën shumë si më herët – 6.5 milionë neto plus bonuse. Reprezentuesi i Spanjës me klubin kryeqytetas ka kontratë të vlefshme deri më 30 qershor 2024.

Go to TOP