Hykmete Bajrami sfidon Qeverinë Kurti: ballafaqohuni për kontratat njëburimore dhe rezervat shtetërore

Nënkryetarja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka ngritur akuza të ashpra ndaj Qeverisë Kurti, duke e konsideruar korrupsionin në kontratat njëburimore si një plagë serioze të qeverisjes aktuale. Përmes një postimi, Bajrami ka sfiduar kabinetin qeveritar të përballet në debat publik për çështje të ndjeshme si thesari, kontratat njëburimore, rezervat shtetërore dhe tenderët e kompanive publike.

Bajrami ka theksuar se prej 273 milionë eurove të shpenzuara me kontrata njëburimore gjatë mandatit të dytë të Qeverisë Kurti, vetëm 33.8 milionë janë realizuar nga 38 komunat e Kosovës. Ajo ka përmendur gjithashtu kontratën për ruajtjen e grurit në “Universal Food”, të nënshkruar fillimisht në kohën kur ministre ishte Mimoza Kusari Lila, sot shefe e deputetit Armend Muja, të cilin Bajrami e cilëson si “sekser”.

Ajo ka kritikuar edhe Ministrinë e Punëve të Brendshme për një kontratë të negociuar për licenca të Microsoft-it, të blera nga një kompani shqiptare e cila është nën hetim, duke e krahasuar këtë me një procedurë të mëparshme transparente që kishte kushtuar 5 milionë euro më pak.

“Eja të ballafaqohemi! Caktoni studion dhe kohën, merrni vizatimet me vete. Unë ju pres,” ka shkruar Bajrami, duke i bërë thirrje qeverisë që të debatojnë publikisht për çështje të tjera si rezervat shtetërore, grurin, energjinë elektrike, çerdhet dhe integrimin kombëtar.

Këto akuza vijnë pas përpjekjeve të deputetit Armend Muja për të hedhur akuza ndaj saj, për të cilat Bajrami tha se janë propagandë për të mbuluar skandalet e qeverisë. Ajo akuzoi qeverinë se përdor propagandën për të mbuluar korrupsionin, duke përfunduar se “korrupsioni nuk mbulohet as nga Bill Gates”.

Debati për kontratat njëburimore mbetet një nga çështjet më të diskutuara në Kosovë, me akuza të ndërsjella mes pozitës dhe opozitës. /Kosova.info/

Go to TOP