Hoxha: VV nuk ka kapacitete për zgjedhjet lokale, po sakrifikon ministra për të mbuluar mungesën e figurave përfaqësuese

Analisti politik Dibran Hoxha ka vënë në pikëpyetje kapacitetin e Lëvizjes Vetëvendosje për të përballuar zgjedhjet lokale të tetorit duke thënë se kjo parti nuk ka mjaft figura përfaqësuese për të garuar nëpër komuna dhe për të mbajtur njëkohësisht pushtetin qendror.

Në emisionin Pressing në T7, Hoxha tha se vetëm figura e Albin Kurtit nuk mjafton për t’i fituar zgjedhjet lokale, siç është dëshmuar më herët me humbjen e Prishtinës. Sipas tij, VV po detyrohet të largojë ministra nga detyrat qeveritare për t’i përdorur si kandidatë në komuna duke treguar një mungesë serioze të kuadrove.

“Vetë figura e Albin Kurtit nuk t’i fiton zgjedhjet lokale, qysh është dëshmuar me Prishtinën. Meqë e ka kuptu që vetë nuk mundet, duhet me qitë figura më përfaqësuese,” deklaroi Hoxha.

Ai përmendi se kandidimi i Hajrulla Çekut për Prishtinën, Faton Pecit për ndonjë komunë tjetër, dhe përfolja e Hekuran Muratit për Ferizaj, janë shenja të qarta që VV nuk po arrin të menaxhojë me burimet njerëzore që ka në dispozicion.

“Na u hek një ministër i Kulturës, nëse zyrtarizohet Faton Peci na heket një ministër i Bujqësisë, nëse zyrtarizohet Hekuran Murati… Cilin kungull po don me mbajtë VV, se krejt nuk mundet. Një parti që do me mbajtë edhe deputetët, edhe komunat, edhe qeverinë – duhet me pas 70 njerëz, që VV nuk i ka,” tha Hoxha.

Këto komente vijnë në kohën kur VV po përgatitet për zgjedhjet lokale të tetorit dhe pritet të shpallë emrat e plotë të kandidatëve të saj për komunat kryesore të vendit. /Kosova.info/

Go to TOP