Hovenier: Nuk është koha e përshtatshme që ministrat e Kosovës të udhëtojnë për në SHBA
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Jeffrey Hovenier, gjatë ditës së sotme ka folur për situatën aktuale në Kosovë, duke thënë se, Kosova është në krizë dhe se qeveria është e fokusuar në këtë krizë.
Ambasadori amerikan, është pyetur rreth raportimeve se ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiut, i është refuzuar viza për në SHBA, duke thënë se, tani nuk është koha e përshtatshme që ministrat të udhëtojnë në SHBA, gjatë kësaj kohe.
“Jemi shumë të fokusuar në këtë krizë. Ne besojmë se kjo Qeveri është shumë e fokusuar në këtë krizë. Dhe kështu, kjo nuk është domosdoshmërisht koha më e përshtatshme që ministrat të udhëtojnë në SHBA për takime zyrtare, marrë parasysh krizat që duhet të trajtohen këtu. Këtë po ua komunikojmë zyrtarëve të ndryshëm në Qeveri”, tha Hovenier.
Në lidhje me këtë ka reaguar edhe vetë Haxhiu, e cila ka mohuar se asaj i është refuzuar viza.
“Sot pasdite jam takuar me zyrtarë të lartë të Ambasadës së SHBA-ve në Kosovë. Ndër të tjera, diskutuam edhe rreth ftesës së tyre për vizitë në SHBA. Marrë parasysh situatën aktuale politike në vend, bashkërisht kemi konsideruar se duhet ta shtyejmë për një datë më të përshtatshme vizitën”, ka thënë Haxhiu.

