Hovenier flet për licencën e MTS: Çështje shumë e ndjeshme, qeveria të ketë kujdes me vendimet
Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka kërkuar kujdes të shtuar nga ana e qeverisë kur bëhet fjalë për marrëveshjet e arritura lehtësuar nga Bashkimi Evropian.
Kjo kur në takimin me gazetarë u pyet për çështjen e operatorit mobil serb MTS, për të cilin u shpreh se është rast shumë i ndjeshëm heqja e licencës së biznesit.
”Kjo është një çështje shumë sensitive”.
”Dhe në rastin e çdo biznesi licenca e të cilit mund të tërhiqet ne do të sugjeronim secilën qeveri që t’i bëjë këto veprime me kujdes. Është gjë e madhe kur ia suspendon licencën një biznesi”.
”Por, MTS është veçanërisht special, pasi një pjesë e mirë e bazave të operimit të tij është një marrëveshje e arritur nën marrëveshjen e dialogun lidhur me provizionet e shërbimeve telefonike fikse dhe mobile”.
”Pra, e inkurajojmë qeverinë në mënyrë të veçantë që të jetë shumë shumë e kujdesshme për vendimet që merr”.
Mes tjerash ai edhe ka sqaruar se si duhet rrjedh procedurat në zbatimin e marrëveshjeve të arritura në bashkëpunim me BE-në.
”Nuk është e paarsyeshme për qeverinë që të presë nga bizneset që operojnë në Kosovë të veprojnë sipas ligjeve të Kosovës, por po ashtu, nuk është e paarsyeshme edhe për komunitetin ndërkombëtar të presë nga qeveria të koordinohet me ne, për atë se si i implementon provizionet e ligjeve, kur bëhet fjalë për diçka që është sensitive sikur janë operacionet e një biznesi që mori bazat e operimit të tij nga një marrëveshje e arritur nën fasilitim të BE-së”.
”Lajçak dhe ekipi i tij po punojnë me Qeverinë e Kosovës se si të menaxhohet kjo”.
”Nuk dua të supozoj sa i përket rezultatit përfundimtar, por ne e mbështesim punën e të dërguarit të BE-së, që ka përgjegjësi për të siguruar se gjithçka bëhet në pajtim me marrëveshjet e Brukselit”.
