Hoti tregon se si mbrohen bujqit: Indeksimi i subvencioneve sipas normës së inflacionit të çmimeve të inputeve bujqësor
Deputeti i zgjedhur i LDK-së, Avdullah Hoti, ka vlerësuar se e vetmja mënyrë për të mbrojtur bujqit ka qenë dhe mbetet indeksimi i subvencioneve sipas normës së inflacionit të çmimeve të inputeve bujqësore.
Ai ka bërë me dije se subvencionet për kulturat bujqësore duhet të rriten në përputhje me rritjen e çmimeve të inputeve bujqësore.
Në profilin e tij në Facebook, Hoti ka shkruar se vetëm kështu mbrohet bujku dhe prodhimi vendor.
“Ka dy vite që e kam ngritur çështjen e rritjes së çmimeve të inputeve bujqësore, përfshirë këtu plehrat, farërat, pesticidet dhe sigurisht derivatet. Rritja e çmimeve ka qenë shumë më e lartë se trendi i zakonshëm afatgjatë i rritjes së çmimeve në përgjithësi në kuadër të ekonomisë. Siç kam propozuar në vazhdimësi, e vetmja mënyrë për të mbrojtur bujqit ka qenë dhe mbetet indeksimi i subvencioneve sipas normës së inflacionit të çmimeve të inputeve bujqësore. Konkretisht, subvencionet për kulturat bujqësore duhet të rriten në përputhje me rritjen e çmimeve të inputeve bujqësore”, ka shkruar ai, duke treguar për ndikimet që do të kishte një masë e tillë.
“Vetëm kështu mbrohet bujku dhe prodhimi vendor. Përndryshe, do të shohim më shumë ara djerrinë dhe më pak prodhim vendor. Në markete do të mbushen raftet me produkte nga importi”, ka shkruar ai.
