KUR PROCEDURA GJYQËSORE BËHET VETË PADREJTËSIA
Nga Redaksia e Blic Albania – Investigim
“Drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar.” Ky përveç se është vetëm aforizëm juridik, gjithashtu është një standard i njohur i shtetit të së drejtës, i ndërtuar mbi bindjen se drejtësia humbet vlerën e saj kur qytetari detyrohet të presë me vite të tëra për një përgjigje përfundimtare nga institucionet që kanë detyrimin ta mbrojnë.
Në Kosovë, një rast që ka zgjatur 17 vjet ngre pikërisht këtë dilemë: a mund të shndërrohet vetë procedura gjyqësore në një formë padrejtësie? Ky investigim nuk synon të shpallë fajtorë dhe as të zëvendësojë gjykatat. Përkundrazi, ai mbështetet në dokumente gjyqësore, në aktvendime dhe aktgjykime, si dhe në pretendimet e dokumentuara të palës paditëse, për të analizuar një çështje që ka kaluar nëpër disa instanca gjyqësore, është kthyer disa herë në rigjykim dhe ende nuk ka marrë epilog të formës së prerë.
Në qendër të këtij kontesti është shoqëria “Ogechi LLC”, një mosmarrëveshje ndërmjet aksionarëve dhe pretendimet për tjetërsimin e një pasurie të konsiderueshme, përfshirë rreth 12.000 metra katrorë tokë dhe një objekt afarist prej rreth 4.600 metrash katrorë. Pala paditëse pretendon se këto veprime janë kryer pa dijeninë dhe pëlqimin e saj, përmes dokumenteve që pala e dëmtuar i konsideron të falsifikuara, ndërsa këto pretendime mbeten objekt i procedurave gjyqësore dhe ende nuk janë konstatuar me vendim përfundimtar.
Por, përtej mosmarrëveshjes ndërmjet palëve, ky rast hap debat shumë më të gjerë.
Sa vite duhet të presë një qytetar që sistemi gjyqësor të japë përgjigje përfundimtare?
A është normale që një lëndë të kalojë nga një gjykatë në tjetrën, të rikthehet disa herë në rigjykim dhe të vazhdojë të mbetet e hapur për gati dy dekada?
Çfarë mesazhi i jep kjo çdo investitori, aksionari apo qytetari që kërkon mbrojtje juridike në Kosovë?
Për t’iu përgjigjur këtyre pyetjeve, Blic Albania analizoi kronologjinë e rastit, dokumentacionin gjyqësor dhe vendimet e institucioneve kompetente. Dokumentet tregojnë se kontesti ka kaluar nëpër disa faza procedurale, me rikthime të njëpasnjëshme për rigjykim. Në një aktvendim të vitit 2025, Dhoma e Shkallës së Dytë e Gjykatës Komerciale anuloi vendimin e shkallës së parë dhe e ktheu çështjen në rigjykim për shkaqe procedurale që lidhen me verifikimin e adresave të palëve. Vetëm më pas, Gjykata Komerciale hyri në shqyrtimin e meritës së çështjes dhe me aktgjykimin e 29 majit 2026 aprovoi pjesërisht kërkesëpadinë, duke detyruar një nga të paditurit të paguajë 85.000 euro, kamatë ligjore dhe shpenzimet e procedurës.
Kjo kronologji ngre një pyetje të natyrshme: nëse çështja mund të analizohej në themel dhe të merrej një vendim meritues në vitin 2026, a mund të ishte bërë kjo shumë vite më parë?
Ky nuk është një investigim për të gjykuar rezultatet e procesit. Është një investigim për të analizuar rrugën që ka ndjekur drejtësia dhe për të kuptuar nëse kohëzgjatja e jashtëzakonshme e procedurës përputhet me standardet që kërkon një shtet demokratik dhe sundimi i ligjit.
Nga bashkëpunimi afarist te kontesti milionësh: Si nisi konflikti?
Sipas dokumenteve të shqyrtuara nga Blic Albania dhe pretendimeve të palës paditëse, rrënjët e këtij kontesti nuk gjenden në sallat e gjykatave, por shumë vite më parë, në marrëdhëniet afariste ndërmjet aksionarëve të shoqërisë “Ogechi LLC”.
Në thelb të mosmarrëveshjes, ndodhet një pasuri me vlerë të konsiderueshme ekonomike, e përbërë nga rreth 12.000 metra katrorë tokë dhe një objekt afarist me sipërfaqe prej afërsisht 4.600 metrash katrorë, pronësi e shoqërisë. Pikërisht kjo pasuri është bërë objekt i kontestit që vazhdon prej më shumë se një dekade e gjysmë.
Sipas padisë dhe dokumentacionit të dorëzuar në gjykatë, pala paditëse pretendon se në korrik të vitit 2009 janë ndërmarrë një sërë veprimesh juridike të cilat pala e dëmtuar i konsideron të kundërligjshme dhe që, sipas saj, kanë krijuar bazën për tjetërsimin e pasurisë së kompanisë. Ndër pretendimet kryesore është se më 29 korrik 2009 është ndryshuar përfaqësuesi ligjor i shoqërisë në regjistrin e biznesit, ndërsa vetëm një ditë më pas është realizuar transaksioni për shitjen e pasurisë së kontestuar, pa dijeninë dhe pëlqimin e aksionarit paditës.
Pala paditëse pretendon se këto veprime janë kryer mbi bazën e dokumenteve që ajo i konsideron të falsifikuara dhe se për këtë arsye ka kërkuar ndër vite mbrojtje gjyqësore, duke kërkuar kompensimin e dëmit dhe rivendosjen e të drejtave të tij. Këto pretendime mbeten objekt i procedurave gjyqësore dhe nuk janë konstatuar me vendim të formës së prerë.
Një zinxhir transaksionesh që mbetet në qendër të kontestit
Sipas pretendimeve të paditësit, pas ndryshimit të përfaqësimit ligjor të kompanisë, pasuria e “Ogechi LLC” është tjetërsuar përmes një transaksioni që ai e konteston si juridikisht të pavlefshëm.
Paditësi pretendon se këto veprime nuk kanë qenë të izoluara, por pjesë e një mekanizmi të organizuar që ka mundësuar kalimin e kontrollit mbi asetet e shoqërisë dhe shfrytëzimin ekonomik të tyre për vite me radhë. Ai kërkon që gjykata dhe institucionet kompetente të vlerësojnë ligjshmërinë e këtyre veprimeve në tërësinë e tyre.
Nga ana tjetër, aktgjykimi i Gjykatës Komerciale tregon se gjykata ka administruar një numër të madh provash dokumentare, përfshirë kontrata, dokumentacion të regjistrimit të biznesit, ekspertizë financiare dhe materiale të tjera, përpara se të merrte vendimin e saj në shkallën e parë.
Pretendimet ndaj aksionarëve të tjerë
Në dokumentacionin që i është dorëzuar redaksisë, pala paditëse ngre pretendime edhe ndaj aksionarëve të tjerë të shoqërisë.
Sipas saj, S. H ka pasur rol kyç në zhvillimet tcilat çuan në ndryshimin e përfaqësimit ligjor të kompanisë dhe në transaksionet që pasuan. Paditësi pretendon se këto veprime kanë krijuar mundësinë që pasuria e shoqërisë të kalojë në kontroll të subjekteve të tjera, duke i shkaktuar atij një dëm të konsiderueshëm ekonomik.
Blic Albania nuk disponon prova të pavarura që konfirmojnë këto pretendime dhe ato paraqiten në këtë fazë si qëndrime të palës paditëse, ndërsa vlerësimi përfundimtar i tyre i takon gjykatave dhe institucioneve kompetente.
Pretendimet për përfshirjen e subjekteve të tjera ekonomike
Një aspekt tjetër i çështjes lidhet me përdorimin e mëvonshëm të objektit afarist.
Paditësi pretendon se ambientet e kontestuara janë dhënë me qira një kompanie të njohur ndërkombëtare që operon në Kosovë dhe se kjo marrëdhënie kontraktore është zhvilluar mbi një bazë pronësore që ai e konsideron të kontestuar.
Në materialet që disponon redaksia ngrihen edhe pretendime për përgjegjësi të mundshme të subjekteve të tjera që kanë pasur marrëdhënie kontraktore me pronën në fjalë. Megjithatë, deri në këtë fazë të procedurës nuk ekziston një vendim gjyqësor i formës së prerë që të konstatojë përgjegjësi ligjore të këtyre subjekteve, ndërsa Blic Albania do t’u drejtohet atyre për të marrë qëndrimin e tyre zyrtar përpara publikimit të pjesës së dytë të këtij investigimi.
Një çështje që tejkalon interesin e palëve
Përtej pretendimeve konkrete, ky rast ngre një çështje më të gjerë me interes publik: sa e sigurt është mbrojtja juridike e pronës dhe e të drejtave të aksionarëve në Kosovë?
Nëse një kontest mbi pronësinë dhe marrëdhëniet kontraktore vazhdon për 17 vjet pa një vendim të formës së prerë, pasojat nuk kufizohen vetëm te palët në proces. Ato ndikojnë në besimin e investitorëve, në sigurinë juridike të transaksioneve dhe në perceptimin e funksionimit të sistemit të drejtësisë.
Pikërisht për këtë arsye, analiza e këtij rasti nuk është vetëm historia e një konflikti privat. Ajo është edhe një provë për aftësinë e institucioneve që të garantojnë sundimin e ligjit dhe mbrojtjen efektive të të drejtave pronësore.
17 vjet në korridoret e drejtësisë:
“Drejtësia nuk mohohet vetëm kur merret një vendim i padrejtë. Ajo mund të mohohet edhe kur qytetari pret aq gjatë për një vendim, sa vetë procedura shndërrohet në dënimin e tij.”
Në teorinë moderne të së drejtës ekziston një parim i njohur: drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar. Ky nuk është një slogan politik, por një standard juridik që buron nga e drejta për një gjykim brenda një afati të arsyeshëm, e garantuar nga Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe nga neni 6 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Pikërisht ky standard vihet në provë nga dosja që Blic Albania ka analizuar.
Nga dokumentacioni rezulton se kontesti nuk është karakterizuar vetëm nga kompleksiteti i marrëdhënieve juridike ndërmjet palëve, por edhe nga një procedurë e gjatë, me kthime të njëpasnjëshme ndërmjet shkallëve gjyqësore, duke krijuar një cikël procedural që ka zgjatur afro 17 vjet.
Një dosje me shumë numra protokolli, por ende pa një epilog
Kur analizohet kronologjia, bie në sy një fakt i pazakontë. Ndër vite, e njëjta çështje është regjistruar me numra të ndryshëm lëndësh, ka kaluar në institucione të ndryshme gjyqësore dhe është rikthyer disa herë për rigjykim. Në aspektin formal, çdo kthim është bërë mbi bazën e një vendimi procedural. Por kur këto rikthime shihen në tërësinë e tyre, lind një pyetje legjitime:
A po e ndihmojnë procedurat realizimin e drejtësisë apo po e shtyjnë atë pafundësisht? Ky është dallimi esencial ndërmjet ligjshmërisë procedurale dhe drejtësisë efektive.
Aktvendimi që e riktheu edhe një herë çështjen
Një nga dokumentet kyçe të analizuara nga Blic Albania është aktvendimi i Dhomës së Shkallës së Dytë të Gjykatës Komerciale, i marsit 2025. Në këtë vendim, shkalla e dytë anulon aktvendimin e shkallës së parë dhe e kthen lëndën në rigjykim, duke vlerësuar se nuk ishin ndërmarrë të gjitha veprimet procedurale për verifikimin e adresave të palëve.
Nga pikëpamja juridike, një gjykatë ka të drejtë dhe detyrim të korrigjojë mangësitë procedurale. Por nga pikëpamja e interesit publik lind një pyetje tjetër: A mund të zgjidhen mangësi të tilla procedurale vetëm pas kaq shumë vitesh proces?
Nëse përgjigjja është po, atëherë problemi nuk është vetëm në këtë dosje. Problemi është te efikasiteti i mekanizmit procedural.
Paradoksi i kësaj çështjeje bëhet edhe më i dukshëm kur krahasohen dy dokumentet kryesore.
Nga njëra anë, aktvendimi i vitit 2025 e rikthen çështjen për arsye procedurale.
Nga ana tjetër, vetëm pak kohë më vonë, Gjykata Komerciale shqyrton në themel provat, analizon kontratat, ekspertizën financiare, dokumentacionin e biznesit dhe merr një vendim mbi meritën e kërkesëpadisë.
Kjo ngre një pyetje që nuk lidhet vetëm me këtë rast: Nëse gjykata kishte mundësi të hynte në shqyrtimin e meritës së çështjes, a mund të ishte arritur kjo fazë shumë më herët?
Për këtë pyetje nuk jep përgjigje as aktvendimi dhe as aktgjykimi.
Kostoja e padukshme e zvarritjes
Në vendimet gjyqësore flitet për kontrata, kamata, ekspertiza dhe shpenzime procedurale. Por ekziston edhe një kosto që nuk pasqyrohet në asnjë aktgjykim.
Është kostoja e kohës. Për një biznes, shtatëmbëdhjetë vjet për ndikojnë në disa cikle investimesh.
Për një pronë, shtatëmbëdhjetë vjet nënkuptojnë ndryshim të vlerës së tregut, humbje të mundësive ekonomike dhe pasiguri juridike.
Për një qytetar, shtatëmbëdhjetë vjet do të thotë një pjesë e konsiderueshme e jetës së kaluar duke pritur një vendim.
Prandaj, në çështje të tilla, koha nuk është thjesht element procedural. Ajo bëhet pjesë e vetë dëmit që pretendohet.
A është ky një rast i izoluar?
Rasti i “Ogechi LLC” nuk duhet parë vetëm si histori e një konflikti ndërmjet aksionarëve.
Ai ngre një debat shumë më të madh:
• Sa kohë duhet të zgjasë një proces civil ose komercial në Kosovë?
• A ekzistojnë mekanizma efektivë për të parandaluar zvarritjet e panevojshme?
• A monitorohen rastet që zgjasin më shumë se një dekadë?
• Kush mban përgjegjësi institucionale kur një procedurë vazhdon për gati dy dekada?
Këto janë pyetje që nuk kërkojnë përgjigje vetëm nga gjykatat. Ato kërkojnë reflektim nga i gjithë sistemi i drejtësisë.
Drejtësia nuk matet vetëm me vendimin
Një vendim gjyqësor mund të jetë juridikisht korrekt.
Por nëse ai vjen pas 17 vitesh procedurë, qytetari ka të drejtë të pyesë nëse drejtësia ka arritur në kohë.
Ky është edhe thelbi i këtij investigimi. Nuk është çështja nëse njëra palë do të fitojë apo do të humbasë procesin.
Çështja është nëse një sistem drejtësie mund ta ruajë besimin e qytetarëve kur procedura zgjat aq shumë, sa krijon perceptimin se vetë rruga drejt vendimit është bërë më e rëndë sesa vetë vendimi.
Pretendimet për ndikim institucional
Dimension tjetër i çështjes lidhet me pretendimet e palës paditëse për ndikim institucional.
Në shkresat që i ka dërguar institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, paditësi thekson se njëri nga të paditurit, D. H, ushtron funksionin e Drejtorit Administrativ dhe Financiar në Fondacionin për Shoqëri të Hapur në Kosovë (KFOS).
Paditësi pretendon se, për shkak të pozitës së tij në një organizatë që prej shumë vitesh ka kontribuar në projekte të ndryshme për forcimin e institucioneve publike dhe sundimin e ligjit në Kosovë, i padituri ka krijuar një rrjet të gjerë bashkëpunimi institucional, i cili sipas tij ka ndikuar në mënyrën se si është trajtuar çështja e tij ndër vite.
Ai pretendon gjithashtu se ky ndikim ka krijuar një klimë mosveprimi institucional dhe mungese përgjegjësie, duke bërë që procedura të zgjasë për më shumë se 17 vjet.
Blic Albania nuk ka gjetur prova të pavarura që konfirmojnë këto pretendime dhe ato nuk janë konstatuar me vendim gjyqësor të formës së prerë. Për këtë arsye, ato paraqiten si qëndrime të palës paditëse. Redaksia do t’i drejtohet KFOS-it dhe z. D. H. për të marrë qëndrimin e tyre lidhur me këto pretendime.
Nëse do të rezultonte se institucionet kanë vepruar plotësisht në përputhje me ligjin, kjo do të ishte po aq me interes publik sa edhe çdo gjetje tjetër. Nëse, përkundrazi, do të identifikoheshin parregullsi, ato do t’i takonte organeve kompetente t’i hetonin dhe vlerësonin.
Pretendimet për një skemë të organizuar: Çfarë thotë pala paditëse dhe çfarë tregojnë dokumentet?
Një nga elementet më të ndjeshme të kësaj dosjeje nuk lidhet vetëm me kohëzgjatjen e procedurës, por edhe me mënyrën se si, sipas palës paditëse, janë zhvilluar ngjarjet që çuan në humbjen e kontrollit mbi pasurinë e shoqërisë “Ogechi LLC”.
Për F. R., kontesti nuk është thjesht një mosmarrëveshje kontraktore. Ai pretendon se bëhet fjalë për një zinxhir veprimesh të ndërlidhura që kanë filluar në vitin 2009 dhe që, sipas tij, kanë pasur si rezultat tjetërsimin e pasurisë së kompanisë dhe pamundësimin e ushtrimit efektiv të të drejtave të tij si aksionar.
Këto pretendime janë pjesë e padisë dhe e shkresave që ai u ka drejtuar institucioneve vendore dhe ndërkombëtare. Ato nuk janë konstatuar me vendim gjyqësor të formës së prerë dhe, për rrjedhojë, paraqiten në këtë investigim si qëndrim i palës paditëse.
Dita që, sipas paditësit, ndryshoi gjithçka
Në qendër të pretendimeve qëndrojnë dy data: 29 korrik 2009dhe 30 korrik 2009.
Sipas dokumentacionit të dorëzuar nga paditësi, më 29 korrik 2009 në regjistrin e biznesit është evidentuar ndryshimi i përfaqësimit ligjor të shoqërisë “Ogechi LLC”. Paditësi pretendon se ky ndryshim është bërë pa dijeninë dhe pëlqimin e tij dhe mbi dokumente që ai i konsideron të falsifikuara.
Vetëm një ditë më vonë, sipas pretendimeve të tij, është realizuar transaksioni për tjetërsimin e pasurisë së kompanisë, që përfshinte rreth 12.000 metra katrorë tokë dhe një objekt afarist prej rreth 4.600 metrash katrorë.
Për paditësin, afërsia kohore ndërmjet këtyre dy veprimeve nuk është rastësi, por pjesë e një mekanizmi të planifikuar. Kjo mbetet një nga çështjet qendrore të kontestit që vazhdon të trajtohet në procedurat gjyqësore.
Roli i aksionarëve të tjerë
Në padinë e tij, F. R. ngre pretendime edhe ndaj aksionarëve të tjerë të shoqërisë.
Sipas tij, S.H. ka pasur rol vendimtar në ndryshimin e përfaqësimit ligjor të kompanisë dhe në veprimet që pasuan. Ai pretendon se përmes këtyre veprimeve u krijuan kushtet për tjetërsimin e pasurisë së shoqërisë pa pëlqimin e tij si aksionar.
Po ashtu, paditësi pretendon se në transaksionet e mëvonshme është përfshirë edhe D. H., ndaj të cilit ai ka ngritur akuza në procedurat gjyqësore civile dhe në komunikimet drejtuar institucioneve publike.
Blic Albania nuk disponon prova të pavarura që të konfirmojnë ose hedhin poshtë këto pretendime. Për këtë arsye ato paraqiten ekskluzivisht si qëndrime të palës paditëse.
Çështja e marrëdhënieve kontraktore
Paditësi pretendon gjithashtu se objekti afarist, i cili sipas tij është tjetërsuar në mënyrë të kundërligjshme, është përdorur më pas në marrëdhënie kontraktore me subjekte të tjera ekonomike.
Në materialet e dorëzuara Blic Albania ka parë pretendime që lidhen me dhënien me qira të objektit një kompanie ndërkombëtare që operon në Kosovë. Paditësi pretendon se kjo kompani ka përfituar nga përdorimi i objektit ndërkohë që statusi juridik i pronës ka qenë objekt kontesti.
Në këtë fazë të procedurës nuk ekziston një vendim gjyqësor i formës së prerë që të konstatojë përgjegjësi ligjore të kësaj kompanie për pretendimet e ngritura. Për këtë arsye, çdo vlerësim për rolin e saj mbetet në kompetencën ekskluzive të organeve të drejtësisë.
A ka qenë kjo një mosmarrëveshje civile apo diçka më shumë?
Kjo është pyetja që përshkon të gjithë dosjen. Nga njëra anë, procedura është zhvilluar kryesisht si kontest civil dhe komercial. Nga ana tjetër, pala paditëse vazhdon të pretendojë se në themel të çështjes ekzistojnë elemente që duhej të ishin trajtuar edhe nga organet e hetimit penal.
Blic Albania nuk merr qëndrim mbi këtë pretendim. Por një pyetje mbetet legjitime: Kur një palë pretendon prej vitesh falsifikim dokumentesh dhe tjetërsim të kundërligjshëm të pasurisë, a kanë funksionuar të gjitha mekanizmat institucionalë për ta sqaruar plotësisht këtë pretendim?
Përgjigjja ndaj kësaj pyetjeje nuk është vetëm në interes të palëve të këtij procesi. Ajo lidhet me besimin që qytetarët kanë te aftësia e institucioneve për të garantuar mbrojtjen e pronës, integritetin e regjistrave publikë dhe zbatimin e barabartë të ligjit.
