Hoti: Kosovës i mungojnë gjysmë miliardi euro investime kapitale

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka thënë se ekonomisë së vendit tonë i mungojnë rreth 500 milionë euro investime kapitale.

Hoti, përmes një reagimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, është shprehur se qeveria “Kurti” ka performacë të dobët në ekonomi.

“Performancën e dobët në ekonomi të kësaj qeverie e dëshmojnë këto të dhëna. Shpenzimet për çështje ekonomike gjatë vitit 2022 kanë rënë dukshëm krahasuar me vitin 2019, që është viti para pandemisë. Kjo e fakton argumentin se ekonomisë së Kosovës i mungojnë rreth 500 milionë euro investime kapitale, të cilat kanë prodhuar efekte multiplikuese negative në të ardhura dhe rritje ekonomike”, shkroi Hoti.

Ish-kryeministri i vendit ka shtuar se matur në periudha tremujore, ekonomia e Kosovës ka pasur trend rënës.

“Kjo është arsyeja që rritja ekonomike, e matur në periudha tremujore, ka qenë me trend rënës nga tremujori i dytë i vitit 2021, që është koha kur kjo qeveri ka nisur punën. Dorëheqja është shpëtim për stabilitetin ekonomik dhe politik të vendit”, përfundoi ai.

Go to TOP