Hoti: Kandidatët e LDK-së përfaqësojnë zhvillim, stabilitet dhe qeverisje me përgjegjësi

Anëtari i kryesisë i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka shprehur mbështetjen e plotë për kandidatët e kësaj partie që garojnë në balotazh duke theksuar se ata përfaqësojnë një vizion të qartë për zhvillim dhe institucione që punojnë për qytetarët.

Hoti tha se vendi sot ka nevojë për lidership të arsyeshëm, e jo për aventura politike që sjellin ngecje dhe pasiguri. Sipas tij, LDK mbetet alternativa që ofron përvojë, besueshmëri dhe rezultate të prekshme për qytetarët në të gjitha komunat.

“Këto zgjedhje nuk janë vetëm për emra të përveçëm, por për drejtimin që duam t’i japim qyteteve tona – për të zgjedhur mes qeverisjes me përgjegjësi apo aventurave politike,” deklaroi Hoti.

Ai shtoi se LDK është shtëpia e vlerave që kanë ndërtuar Republikën dhe shembulli më i mirë i punës e përkushtimit ndaj qytetarit.

“Prishtinë, Pejë, Gjilan, Fushë Kosovë, Obiliq, Suharekë, Viti, Junik e Dragash – le ta përmbyllim me fitore këtë kapitull dhe t’i kthehemi qeverisjes së mirë. Sepse kur fiton LDK-ja, fitojnë qytetarët dhe e ardhmja e vendit,” përfundoi Hoti. /Kosova.info/


Go to TOP