Hodaj: Pranuam 1 mijë 697 ankesa në 2023-tën, rekomanduam suspendimin e 71 punonjësve policor

Kryeshefi Ekzekutiv i Inspektoratit Policor të Kosovës, Kushtrim Hodaj është shprehur se viti 2023 ka qenë një vit i suskesshëm për ta.

Hodaj u shpreh se lufta kundër korrupsionit vazhdon të jetë një nga prioritetet e tyre, siç tha, drejt fuqizimit të një policie me integritet.

“Konsiderojmë që viti 2023 ka qenë një vit i suskesshëm në përmbushjen e mandateve tona, kjo falë bashkëpunimit me qytetarët, falë angazhimit të gjithë punonjësve të IPK-së dhe përkrahjes së vazhdueshme nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe nga partnerët tanë”.

“Lufta kundër korrupsionit vazhdon të jetë një nga prioritetet tona drejt fuqizimit të një policie me integritet. Përmes angazhimeve tona tashmë kemi arritur të ngrisim nivelin e besueshmërinë tek qytetarët dhe partnerët”, u shpreh ai.

Hodaj tha se gjatë vitit 2023 kanë pranuar 1 mijë 697 dhe bëri të ditur se 32 për qind e tyre janë orientuar për hetim penal.

“Jemi angazhuar që të rrisim besimin qytetar në sistemin e trajtimit të ankesave. Kemi pranuar dhe administruar 1 mijë 697 ankesa gjatë vitit 2023, të pranuara në mënyra të ndryshme nga qytetarët”.

“32 për qind të këtyre ankesave i kemi orientuar për hetim penal, të cilat janë trajtuar pastaj nga Departamenti i Hetimeve në Inspektoratin Policor të Kosovës. Pjesa tjetër prej 68 për qind janë orientuar për hetim disiplinor apo administrativ në Divizionin e Hetimeve të Brendshme dhe Verifikim të së Kaluarës në kuadër të Policisë së Kosovës”, u shpreh ai.

Tutje, Hodaj njoftoi se gjithashtu kanë rekomanduar suspendimin e 71 punonjësve policor të gradave dhe niveleve të ndryshme.

“Jemi angazhuar në parandalimin dhe luftimin e krimit dhe keqmenaxhimit policor, kemi hetuar 178 të dyshuar, prej tyre 156 punonjës policorë dhe 22 qytetarë që kanë qenë në raste të përbashkëta me zyrtarët policor.

“Kemi ngritur 74 kallëzime penale ndaj të dyshuarve për veprimtari kriminale në prokuroritë gjegjëse, kemi arrestuar 35 punonjës dhe qytetarë nën dyshimin për përfshirje në vepra të ndryshme kriminale, kemi rekomanduar suspendimin e 71 punonjësve policor të gradave dhe niveleve të ndryshme”, tha tutje ai.

Go to TOP